Lidhje

Serbia pas zgjedhjeve parlamentare - 2004-01-06


Ka kaluar mëse një javë që nga zgjedhjet parlamentare në Serbi, në të cilat reformistët shënuan humbje, dhe vendi ende nuk ka qeveri. Partia radikale ish aleate e Sllobodan Millosheviçit mori mbi 25 për qind të votave duke dalë si fituesja më e madhe në zgjedhje. Analisti politik Daniel Sunter në Beograd thotë se radikalët fituan vota duke u përqëndruar në vështirësitë ekonomike të qytetarëve të thjeshtë:

“Fushata e zgjedhjeve e partisë radikale në Serbi u përqëndrua më shumë tek çështje shoqërore sesa te ato politike, sepse radikalët janë të vetëdijshëm për problemet e thella shoqërore dhe varfërinë në Serbia,” thotë zoti Sunter.

Në bazë të disa statistikave, 70 për qind e popullsisë në Serbi jeton në nivelin e varfërisë ose nën të. Rroga mesatare është nën 170 dollarë në muaj.

Obrad Kesiç, këshilltar për çështjet ekonomike këtu në Washington, thotë se votuesit ua kthyen shpinën reformistëve që kishin qeverisur Serbinë për tre vjet si rrjedhojë e korrupsionit dhe vështirësive që lidhen me reformat ekonomike:

“Njerëzit mbetën pa punë. Megjithëse ekonomia u përmirësua, ende nuk ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore për të ndikuar në jetesën e përditshme të njerëzve,” thekson zoti Kesiç.

Por, zoti Sunter nuk është pesimist për të ardhmen e reformave. Ai thekson se katër partitë reformiste të marra së bashku, kanë siguruar 2 herë më shumë vota se radikalët:

“Nuk vihet në dyshim se njerëzit në Serbi ende po përkrahin forcat demokratike Por problemi është se forcat demokratike janë për momentin të përçara” thotë analisti Sunter.

Vojisllav Koshtunica, një figurë kryesore në kryengritjen kundër Sllobodan Millosheviçit në tetor të vitit 2000, po diskutohet si kandidat për postin e kryeministrit. Analistët thonë se pas afro një jave do të bëhet e qartë se çfarë forme do të ketë qeveria e ardhme. Megjithatë, zoti Kesiç nuk është i bindur se partitë reformiste do të arrijnë të lënë mënjanë dallimet mes tyre:

“Ekziston mundësia që këto katër grupime të përfshihen në një qeveri. Por për fat të keq, mendoj se skenari i mundshëm është që ato të mos arrijnë të bien në marrëveshje për të formuar një qeveri të re. Prandaj, ka mundësi që në Serbi të zhvillohen zgjedhje të reja pas rreth 2 muajsh” thekson zoti Kesiç.

Për momentin, Serbia nuk ka as qeveri as president, pasi përpjekjet e mëparshme për të zgjedhur një president dështuan si rrjedhojë e pjesëmarrjes së ulët në votime.

//ad//

XS
SM
MD
LG