Lidhje

Dyer te hapura, nën masa të rrepta sigurie - 2004-01-06


Shtetet e Bashkuara filluan dje fotografimin dhe regjistrimin e shenjave të gishtave për shumicën e vizitorëve që hyjnë në Amerikë, në kuadrin e masave të reja për forcimin e sigurisë. Sekretari i Departamentit të Sigurimit Kombëtar, Tom Ridge tha se këto masa, të cilat do të zbatohen për të gjithë vizitorët e huaj që hyjnë në Amerikë me vizë, do ti bëjnë; më të sigurt kufjtë e vendit. Zoti Ridge hodhi poshtë kritikat se masat e reja janë një ndërhyrje në jetën personale të njerëzve dhe mund tu shkaktojnë vonesa atyre që udhëtojnë. Siç njofton korrespondenti ynë, Valer Gergely, përjashtim nga programi në fjalë bëjnë shtetasit e 28 vendeve, kryesisht evropiane, të cilët lejohen të vijnë si vizitorë në Shtetet e Bashkuara pa vizë për një afat prej deri 90 ditësh.

Një pasagjere, e cila është një prej vizitoreve të para të huaja që sapo ka hyrë në Shtetet e Bashkuara po i nënshtrohet kërkesave të reja të Departamentit të Sigurisë Kombëtare. Një pajisje elektronike i merr asaj shenjat e gishtave dhe ajo fotografohet. Kur të largohet, asaj përsëri do t'i merren shenjat e gishtave.

"Procedura nuk më bezdisi aspak, sepse nuk kisha asgjë për të fshehur",- thotë gruaja.

Asa Hutchinson, Nënsekretar i Departamentit të Sigurimit Kombëtar, tha se procesi do të forcojë sigurinë dhe do të shtojë besimin në sistemin amerikan të transportit.

" Besoj se ky sistem që po zbatojmë, nuk do tu duket i padrejtë viztorëve të huaj, përkundrazi do të jetë i lehtë dhe i shpejtë për ta, duke u dhënë atyre besimin se sistemi ynë i transportit është i sigurt dhe se ata nuk po hyjnë në Shtetet e Bashkuara bashkë me njerëz që mund të përbëjnë rrezik."- thotë zoti Hutchison.

Informacioni i ndihmon inspektorët e kufirit të vendosin nëse do ta pranojnë, apo jo vizitorin.

"Karakteristikat e tyre biometrike do të krahasohen me shenjat e gishtave që u janë marrë atyre kur u është viza në ambasadë. Ai do të krahasohet edhe me bazën tonë të të dhënave. Nëse çdo gjë është e rregullt, ata do të mirëpriten në Shtetet e Bashkuara", -thotë zyrtari.

Pesëdhjetë nga më shumë se 200 ambasada dhe konsullata amerikane që japin viza, bëjnë tashmë marrjen e shenjave të gishtave. Deri në tetor të këtij viti, kjo do të bëhet në të gjitha ambasadat amerikane.

Informacioni i grumbulluar shkon në një bazë të dhënash të përbashkët me Departamentin e Sigurimit Kombëtar. Janice Jacobs, zëvendës ndihmëse sekretare e shtetit për çështjet konsullore, thotë se informacioni do të ruhet me kujdes.

"E di se shumë vende kanë patur shqetësime lidhur me atë se çdo të bëhet me informacionin që grumbullohet. Ai thjesht na shërben neve që të konfirmojmë identiitetin e njerëzve që kërkojnë vizë. I shërben edhe Departamentit të Sigurimit Kombëtar për të identifikuar njerëzit që hyjnë në Amerikë",-thotë zonja Jacobs.

Zyrtarët amerikanë thonë se marrja e shenjave të gishtave do të shpejtojë hyrjen e udhëtarëve që nuk vijnë në Amerikë për herë të parë. Ata thonë se ky proces kërkon vetëm 15 sekonda dhe nuk ndërhyn në jetën private të udhëtarëve.

"Kur udhëtari vjen përsëri në Amerikë, ne konfirmojmë menjëherë identitetin e tij dhe nëse i kanë zbatuar kërkesat e vizës, atyre do tu krijohen lehtësi në procedurat e hyrjes",- thotë zoti Hutchinson.

Të vetmit përjashtime nga programi në fjalë janë shtetasit e 28 vendeve kryesisht evropiane, të cilëve nuk u kërkohet vizë, nëse vizita e tyre zgjat jo më shumë se 90 ditë. Por vizitorëve të këtyre vendeve do tu kërkohet të kenë një pasaportë të lexueshme nga një aparat elektronik, e cila të përmbajë një mikroprocesor ku janë regjistruar një fotografi dhe të dhënat biometrike. Pas tetorit 2004, nëse ata nuk kanë një pasaportë të tillë, edhe atyre do tu kërkohet vizë.

Ndërkohë që zyrtarët përpiqen të pengojnë hyrjen e armëve nga kufiri, qeveria federale ka urdhëruar terminalet në portet e vendit që të vëzhgojnë më nga afër ngarkesat e mallrave, anihetg dhe punëtorët. Rregullat e reja për vizta dhe hyrjet në Amerikë, do të zbatohen edhe për anijet e mallrave që vijnë në Shtetet e Bashkuara. Vizat e ekuipazheve që deri tani kanë qenë të përbashkëta, do të zëvendësohen me viza individuale.

"Ishte e logjikëshme që viza e përbashkët të eliminohet sepse përndryshe njerëzit nuk mund të identifikohen dot",- thotë zoti Jacobs.

Zyrtarët shtojnë se rregullat e reja nuk do ta zgjasin shumë kohën e përpunimit të vizës. Por kostoja e këtyre masave do të pasqyrohet në rritjen e pagesave për të marrë vizën.

"Kohët e fundit pagesa është rritur për shkak të modernizimit të procedurave. Këtu përfshihet nxjerrja e vizës dhe procesi i intervistimit. Të gjitha këto kërkojnë më shumë para. Sidomos i shtrenjtë është regjistrimi i karakteristikave biometrike",-thotë zyrtarja.

Janice Jacobs thotë se megjithë rregullat e reja, ligjet dhe kriteret e kualifikimit për të marrë vizën nuk kanë ndryshuar.

Zyrtarët amerikanë shpresojnë se programi i ri do të frenojë terroristët e mundshëm, si dhe imigracionin e paligjshëm.// lk //

XS
SM
MD
LG