Lidhje

India dhe Pakistani bien dakord të rifillojnë dialogun - 2004-01-06


India dhe Pakistani, dy vende rivale në fushën bërthamore, kanë rënë dakord të rifillojnë muajin e ardhshëm bisedimet lidhur me Kashmirin dhe çështje të tjera dy-palëshe, pas një ndërprerjeje për më shumë se dy vjet.

Marrëveshja u shpall në një deklaratë të përbashkët që u bë sot në Islamabad, pas takimit të djeshëm mes Kryeministrit indian Atal Behari Vajpayee dhe presidentit pakistanez, Pervez Musharraf. Ai ishte takimi i parë i drejt për drejtë mes tyre në dy vjet.

Të dy udhëheqësit shprehën besimin se bisedimet e reja do të çojnë në zgjidhjen paqësore të të gjitha çështjeve më të rëndësishme dy-palëshe, duke përfshirë edhe Kashmirin. Bisedimet e mëparshme u bllokuan në korrik të vitit 2001. Të dyja palët mbetet të vendosin për kohën, vendin dhe rendin e ditës së bisedimeve të reja.

Gjenerali Musharraf e përshkroi marrëveshjen e re si një fitore për të gjithë popullin e Indisë dhe Pakistanit dhe vlerësoi për këtë zotin Vajpayee për vizionin dhe udhëheqjen e tij.

Në muajin prill, udhëheqësi 79-vjeçar indian nërmorri fushatën e fundit në jetëne tij, siç u shpreh ai, për arritjen epaqes mes dy vendeve. Në muajin nëntor, të dy qeveritë shpallën armëpushimin në Kashmir.

Këto dy vende fqinje me fuqi bërthamore kanë kryer dy luftëra për rajonin e diskutueshëm të Kashmirit dhe ishin në prak të një lufte të tretë në vitin 2001. Por vitin e kaluar, pas disa përpjekjeve të Kryeministrit indian, Vajpayee, New Delhi dhe Islamabadi filluan të marrin masa për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.// lk //

XS
SM
MD
LG