Lidhje

Kosovë: kremtohen krishtlindjet orthodokse - 2004-01-07


Zyrtarë të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë, përgëzuan besimtarët orthodoksë me rastin e Krishtlindjeve, ndërsa asnjë nga institucionet publike nuk punoi.

Në të gjitha kishat orthodokse në Kosovë janë mbajtur liturgjitë, ndërsa në ceremoninë e mbajtur në Manastirin e Deçanit në Kosovën perëndimore mori pjesë edhe shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Harri Holkeri. Në një urim të tij me këtë rast, thuhet se “UNMIK-u është i vetëdijshëm se të krishterët orthodoksë vazhdojnë të jetojnë në kushte të papranueshme, ashtu siç bëjnë edhe shumë pjesëtarë të shoqërisë në Kosovë. Por, tash është arritur një konsensus që Kosova të bëhet shtëpi e qetë për shumicën e njerëzve të saj, duhet të bëhet shtëpi e sigurtë dhe e dinjitetëshme”-, thuhet në fund të urimit të zotit Holkeri.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, në urimin e tij shpreh “besimin dhe shpresën se kremtimi i Krishtlindjeve do të shënojë rilindjen shpirtërore dhe forcimin e mirëkuptimit dhe të tolerancës ndërmjet pjesëtarëve të të gjitha feve dhe etnive në Kosovë”.

Përfaqësuesit e Kishës Orthodokse serbe në Kosovë, si dhe një pjesë e përfaqësueve politikë të këtij komuniteti kanë shprehur pakënaqësitë e tyre me gjendjen e pakicës serbe në Kosovë, duke kritikuar institucionet e Kosovës, por edhe Misionin e Kombeve të Bashkuara, për siç thuhet, shkeljen e të drejtave dhe lirive të pjesëtarëve të këtij komuniteti.

Por, përfaqësuesit politikë ndërkombëtarë dhe vendorë pohojnë se gjendja e këtij komuniteti ka filluar të përmirësohet. Shefi i administratës ndërkombëtare, Harri Holkeri, gjatë vizitës së sotme në komunën e Deçanit, ku u takua edhe më udhëheqësit e institucioneve komunale, tha se ndjehet i inkurajuar me shkallën e tolerancës.

Viti që sapo ka filluar pritet të shënojë një fazë të re në përpjekjet për kthimin e personave të zhvendosur. Për nesër është paralajmëruar prezantimi i një projekti të ri për kthimin, i cili është një nga tetë standardet e përcaktuara nga bashkësia ndërkombëtare që duhet të përmbushen para gjysmës së vitit 2005, standarde këto që janë kundërshtuar nga përfaqësuesit politikë të komunitetit serb. // lk //

XS
SM
MD
LG