Lidhje

Udhëheqësit e shtatë vendeve të Azisë jugore u mblodhën këtë muaj në Islamabad - 2004-01-09


Udhëheqësit e shtatë vendeve të Azisë jugore u mblodhën këtë muaj në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad. Të mbedhur në kuadrin e Shoqatës së Azisë Jugore për Bashkëpunim Rajonal udhëheqësit miratuan marrëveshje mbi tregëtinë e lirë në rajon dhe luftën kundër terrorizmit. Përveç Pakistanit, vendet anëtare të Shoqatës së Azisë Jugore për Bashkëpunim Rajonal janë India, Banlgadeshi, Sri Lanka, Butani, Nepali dhe Maldivet.

Sipas marrëveshjes për tregti, shtatë vendet anëtare do të fillojnë të pakësojnë tarifat ndjeshëm në vitin 2006. Kjo marrëveshje ka për qëllim ta çojë rajonin e Azisë jugore drejt bashkimit ekonomik, përfshirë edhe një monedhë të përbashkët për të gjithë rajonin.

Takimi i nivelit të lartë u dha gjithashtu kreyministrit indian Atal Behari Vajpayee dhe presidentit pakistanez Pervez Musharraf mundësinë të zhvillojnë takimin e tyre të parë dy palësh në më shumë se 2 vjet. Që pas shpalljes së pavarësisë në vitin 1947, India dhe Pakistani janë angazhuar në tri luftra, dhe tensionet kanë qenë të larta veçanërisht në lidhje me Kashmirin. Gjatë dekadës së fundit, dhuna në Kashmir ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra mijëra vetëve. Zyrtarët indianë dhe pakistanezë bënë të ditur vetëm pak hollësi pas takimit, por thanë në një deklaratë të përbashkët se të dy vendet do të rifillojnë dialogun.

Adam Ereli, zëdhënës i Departamentit të Shtetit, tha se Shtetet e Bashkuara janë të kënaqura që kryeminstri Vajpayee dhe presidenti Musharraf u takuan gjatë zhvillimit të takimit të nivelit të lartë të Shoqatës së Azisë Jugore për Bashkëpunim Rajonal.

"Do të shtoja gjithashtu se janë zhvilluar edhe takime të tjera të nivelit të lartë ndërmjet zyrtarëve indianë dhe pakistanezë. Ne i mirëpresim këto takime dhe shpresojmë se ato do t’u hapin rrugën angazhimit dhe dialogut të mëtejshëm ndërmjet Indisë dhe Pakistanit. Të dyja vendet kanë ndërmarrë një numër hapash pozitivë disa-mujorë për rikthimin e besimit dhe po i nxisim zyrtarët që ta vazhdojnë këtë proces".

Si India ashtu edhe Pakistani janë mike të ngushta të Shteteve të Bashkuara si dhe vende me potencial të madh. Por për ta realizuar këtë potencial, këto vende duhet të kapërcejnë armiqësitë mes tyre. Pastaj ato do të jenë të afta të përqëndrohen plotësisht mbi sfidat e brendshme përkatëse, problemet e stabilitetit në rajon dhe rolin e tyre në botë. Është shenjë e mirë që vendet e Azisë jugore, përfshirë Indinë dhe Pakistanin, po përparojnë drejt një bashkëpunimi më të madh.

//ze//

XS
SM
MD
LG