Lidhje

Irak: të paktën 5 të vrarë dhe dhjetra të plagosur - 2004-01-10


Nga shpërthimi jashtë një xhamie shiite në qytetin Baquba u vranë të paktën 5 vetë dhe u plagosën dhjetra të tjerë.

Dëshmitarët dhanë njoftime kontradiktore rreth hollësive të shpërthimit. Disa thanë se një autor sulmesh vetëvrasëse aktivizoi një cilindër gazi që ishte lidhur në biçikletën e tij pasi nuk u lejua të hynte në xhami. Shpërthimi ndodhi në kohën kur besimtarët po dilnin pas përfundimit të lutjeve të së premtes.

Pak më vonë, policia irakiane çaktivizoi një makinë bombë para një xhamie tjetër shiite në Baquba, që ndodhet 60 kilometra në veri të Bagdadit. Ky qytet ka qënë qendër e rrezistencës kundër koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak.

Pas luftës qyteti ka qënë edhe vatër tensionesh mes komuniteteve Suni dhe Shiite. Këta të fundit përbëjnë 60 përqind të popullatës, por nën rregjimin e Saddam Husseinit nuk lejoheshin të merrnin pjesë në drejtimin e vendit.

Ndërkohë, myslimanë suni të zemëruar dolën nëpër rrugët e Bagdatit për të protestuar përsëri kundër një sulmi amerikan ndaj xhamisë së tyre javën e kaluar. Demonstruesit rrahën një gazetar, i cili po mbulonte demonstratën. Sulmi i javës së kaluar kundër xhamisë Ibn Taymiyah nxiti spekullime se trupat amerikane kishin shpërdoruar librin e shenjtë musliman, Kuranin. Zyrtarët amerikanë thanë se trupat siguruar paprekshmërinë e xhamisë.

Po dje në Bagdad, zyrtarë të sigurimit thanë se dy raketa goditën një hotel ku qendrojnë kontraktuesit dhe afaristët e huaj që janë punësuar nga koalicioni. Nuk është plagosur njeri.

//ze//

XS
SM
MD
LG