Lidhje

Trupat britanike dhe policia irakiane u përleshën me protestues të armatosur në Irakun jugor - 2004-01-11


Trupat britanike dhe policia irakiane u përleshën me protestues të armatosur që qëllonin me gurë në qytetin Amara të Irakut jugor, duke vrarë të paktën 5 veta.

Zyrtarë ushtarakë britanikë thanë se qindra irakianë të zemëruar për shkak të mungesës së vendeve të punës në Amara u mblodhën përjashta selisë së qeverisë lokale. Ata thanë se policia irakiane hapi zjarr pasi demonstruesit filluan të hidhnin gurë në drejtim të godinës.

Trupat britanike u thirrën për të vendosur rendin. Zyrtarët britanikë thanë se trupat hapën zjarr dhe vranë një person, që po hidhte një granadë. Kundër automjeteve ushtarake britanike në vendin e ngjarrjes u hodhën mjete shpërthyese.

Autoritetet irakiane të sektorit të mjeksisë thanë se 6 veta humbën jetën dhe disa irakianë të tjerë u plagosën gjatë përleshjes.

Ndërkohë, ushtarë danezë në Irakun jugor zbuluan mbi 30 predha mortajash nga të cilat rrjedh një lëng i panjohur. Zyrtarë ushtarakë thonë se predhat janë dërguar për kontroll për të përcaktuar nëse lëngu përmban agjentë kimikë.

Një zyrtar ushtarak amerikan tha se predhat e mortajave u gjetën të varrosura në tokë në trasta plasmasi në afërsi të qytetit jugor Basra.

Në zhvillime të tjera, zyrtarë ushtarakë të Shteteve të Bashkuara në Irak thonë se rezultatet e hetimeve paraprake lidhur me përplasjen të enjten të një helikopteri amerikan lënë të kuptohet se ai mund të jetë rrëzuar nga zjarri i armikut. Helikopteri, i cili ishte në një mision mjekësor, u përplas në afërsi të qytetit Falluxha, duke shkaktuar vdekjen e të 9 ushtarëve në bord.

//ze//

XS
SM
MD
LG