Lidhje

Qeveria amerikane dhe grupe të ndryshme bamirëse në SHBA po dërgojnë ndihma për iranianët - 2004-01-12


Pak pasi u njoftua tërmeti në qytetin iranian Bam, qeveria amerikane filloi të dërgonte ndihma në rajon. Edhe grupe të ndryshme bamirëse në Shtetet e Bashkuara po dërgojnë sasi të mëdha me ndihma për iranianët.

Një ndër organizatat e para të ndihmës që veproi në këtë drejtim ishte Americare, me qendër në shtetin Connecticut. Brenda disa ditësh, grupi dërgoi me avion pesë tonë ndihma për personat që i shpëtuan tërmetit. Në këtë sasi ndihmash përfshiheshin katër kuti me ndihma mjekësore, ndër të cilat ilaçe dhe mjekime për 30 mijë veta për një muaj. Siç shpjegon zyrtari i organizatës Americare, Marven Moss: “Populli amerikan e ka traditë t’u dërgojë ndihmë njerëzve në nevojë kudo në botë.”

Ndër organizatat e tjera që po i dërgojnë ndihmë Iranit përfshihen Kryqi i Kuq Amerikan, organizata Direct Relief International me qendër në Kaliforni si dhe organizata Mercy Corps me qendër në shtetin Oregon. Margaret Larson, zyrtare e organizatës Mercy Corps, thotë se ka rëndësi jetike të sigurohen ndihma për dhjetëra mijëra vetë të mbetur pa strehë nga tërmeti.

“Është shumë ftohtë, prandaj dërgimi i batanijeve dhe tendave për familjet është parësor, dhe pa dyshim edhe ushqimi dhe uji i pastër. Një shqetësim dytësor do të ishin nevojat urgjente shëndetësore. Në situata të tilla, ndodh shpesh ndërprerja e furnizimit me ujë të pastër dhe shfaqja e epidemive.”

Edhe disa grupe të ngritura nga iraniano-amerikanët po ndihmojnë viktimat e tërmetit. Ndër to përfshihen Këshilli Kombëtar Iraniano-Amerikan në Washington, organizata me qendër në Maryland, Fëmijët e Persisë dhe Shoqata e Ndihmave për Jetimët e Tërmetit.

Kjo nuk është hera e parë që amerikanët janë angazhuar për të ndihmuar viktimat e katastrofave naturore në Iran. Pas tërmeteve të fuqishme në vitet 1990, 1997 dhe 2002, qeveria amerikane si dhe grupe private bamirëse u ofruan ndihmë iranianëve. Por kjo, thotë presidenti Bush, nuk do të thotë se amerikanët kanë ndryshuar pikëpamjet lidhur me natyrën shtypëse të qeverisë së Iranit.

"Qeveria iraniane duhet të dëgjojë zërat e atyre që dëshirojnë lirinë; duhet të dorëzojë anëtarët e arrestuar të al-Kaidës si dhe duhet të heqë dorë nga programi i saj i armëve bërthamore."

Ndërkaq, tha presidenti Bush “veprimi i duhur është të kujdesemi për ata që po vuajnë, dhe pikërisht këtë po e bëjmë.”

//ze//

XS
SM
MD
LG