Lidhje

Bush:  Kanadaja do të marrë pjesë në konkurencën për kontrata në Irak - 2004-01-13


Presidenti Bush thotë se Kanadaja do të ketë mundësi të marrë pjesë në konkurencën për kontrata rindërtimi në Irak, në raundin e dytë, një lëvizje kjo që ka si qëllim përmirësimin e marrëdhënieve mes këtyre dy fqinjëve të Amerikës së Veriut.

Zoti Bush e bëri këtë njoftim të papritur sot, pas një takimi me Kryeministrin kanadez, Paul Martin, gjatë takimit rajonal të nivelit të lartë në Monterrey të Meksikës.

Kanadaja, e cila nuk e mbështeti luftën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak, ishte përjashtuar nga pjesëmarrja në raundin e parë të kontratave të rindërtimit në atë vend. Zoti Martin thotë se ky ndryshim në politikën amerikane tregon se si vendet fqinje mund të punojnë së bashku.

Muajin e kaluar, administrata e Presidentit Bush e acaroi Kanadanë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë kur shpalli se këto vende nuk do të merrnin pjesë në raundin e parë të konkurencës për kontratat e rindërtimit të Irakut, duke sjellë si argument sigurimin kombëtar.

Njoftimi i sotëm u bë ndërkohë që udhëheqës nga 34 vende të hemisferës perëndimore, vazhduan për të dytën ditë dhe të fundit bisedimet për çështje që kanë të bëjnë me tregtinë, korrupsionin dhe varfërinë.

Presidenti Bush ka sot në plan të takohet për bisedime private me homologët e tij nga Bolivia dhe Argjentina. Ai pritet t’i shfrytëzojë këto takime për të fituar mbështetje për një zonë të lirë të tregtisë pan-amerikane dhe për të bërë thirrje që vendet e korruptuara të përjashtohen nga Organizata e Shteteve Amerikane. Dje, zoti Bush u bëri thirrje udhëheqësve të vendeve pjesëmarrëse të ndihmojnë për një kalim paqësor dhe të shpejtë të Kubës në demokraci.//iç//

XS
SM
MD
LG