Lidhje

Ilir Zherka: Uashingtoni, kryeqyteti i botës së lirë, nuk është i përfaqësuar në Kongresin amerikan - 2004-01-13


Zëri i Amerikës: Sot në Uashington po zhvillohen zgjedhjet paraprake për kandidatin demokrat për president. Zakonisht në Uashington këto zgjedhje zhvillohen në muajin maj, por këtë vit Uashingtoni vendosi të jetë i pari për zhvillimin e zgjedhjeve paraprake. Përse ky ndryshim?

Ilir Zherka: Zgjedhjet paraprake po zhvillohen kaq herët për një arësye të vetme: për të tërhequr vëmendjen e popullit amerikan se Uashingtoni, kryeqyteti i vendit, kryeqyteti i botës së lirë, nuk është i përfaqësuar në Kongresin amerikan. Sado e pabesueshme që t’u duket shikuesve të emisionit tuaj në Ballkan, kjo është e vërteta. Por ajo që është edhe më e pabesueshme, është se shumica e amerikanëve nuk e dinë këtë fakt bazë, që kryeqyteti i tyre nuk merr pjesë në demokracinë tonë të madhe.

Zëri i Amerikës: Në Uashington jetojnë rreth 600 mijë banorë dhe siç e thatë edhe ju, një pjesë e mirë e mirë amerikanëve nuk e dinë, dhe aq më pak e dinë qytetarët jashtë vendit. Si shpjegohet që kryeqyteti i Amerikës nuk është i përfaqësuar në Kongres me ligjvenës?

Ilir Zherka: Kur u krijua Amerika, ideja ishte që kryeqytet të bëhej një prej shteteve të atëhershme si Nju Jorku apo Pensilvania. Por më pas u vendos që kryeqyteti të ishte jashtë shteteve. Dhe ky kryeqytet u krijua pas arritjes së marrëveshjeve politike dhe pas krijimit të strukturës së Kongresit. Më pas mungoi vullneti politik për t’iu rikthyer sistemit politik dhe për ta rishikuar atë edhe një herë dhe kështu Uashingtoni mbeti i papërfaqësuar në Kongres.

Zëri i Amerikës: Dhe që atëhere ka vazhduar kështu, Uashingtoni është i papërfaqësuar. Ju punoni për organizatën “Votoni për Uashingtonin” e cila synon pikërisht përfaqësimin e kryeqytetit në Kongres. Ku janë përpjekjet në këtë drejtim deri tani?

Ilir Zherka: Gjatë viteve të fundit ne kemi bërë punë të madhe me Kongresin. Por është shumë e vështirë. Uashingtoni, është një qytet që voton për demokratët. Kongresi dhe Shtëpia e Bardhë tani kontrollohen nga republikanët. Pra nuk është në interesin e tyre të shtojnë numrin e ligjvenësve demokratë në Kongres. Ne po përpiqemi t’i kapërcejmë këto pikëpamje partiake dhe të tërheqim vëmendjen e amerikanëve për këtë problem të Amerikës. Ky status që ka Uashingtoni është i papranueshën. Kemi bërë përparim. Një ligjvenës i rëndësishëm republikan mund të paraqesë një projekt ligj për këtë qëllim. Por është një betejë e vështirë që ka filluar para 200 vjetësh. Pas fitores në Kosovë e Maqedoni, unë vendosa t’i përkushtohem tani këtij problemi.

Zëri i Amerikës: Para republikanëve Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi kontrolloheshin nga demokratët. Përse nuk u zgjidh kjo gjë atëhere?

Ilir Zherka: Në atë kohë demokratët synonin që Uashingtoni të fitonte statusin e shtetit. Kjo nuk pati mbështetje, pasi Uashingtoni është praktikisht një qytet dhe që një qytet të marrë përsipër funksionet, karakterin e një shteti, është shumë e vështirë. Prandaj ajo përpjekje dështoi. Ndërsa përpjekja jonë sot është e ndryshme: ajo që kërkojmë ne është të na jepet përfaqësim në Kongres. Ky është parakushti kryesor i jetës demokratike. Është ajo që u thuhet banorëve në Kosovë çdo ditë, por ne këtu në Amerikë ende nuk u kemi dhënë demokraci banorëve të kryeqytetit.

Zëri i Amerikës: Dhe një pyetje e fundit. Si janë shanset që Uashingtoni të ketë përfaqësuesit e vet në Kongres?

Ilir Zherka: Do të jetë një proces që do të kalojë në disa faza. Për 150 vjet Uashingtoni nuk kishte kontroll mbi buxhetin e tij. Gjatë 30 vjetëve të fundit kjo u kapërcye. Si hap të parë ne parashikojmë pjesëmarrjen në Dhomën e Përfqësuesve dhe më tej në Senat. Kam besim se në fund të fundit, ne do të fitojmë, pasi drejtësia është me ne. Është vetëm çështje kohe e përpjekjesh.//iç//

XS
SM
MD
LG