Lidhje

Pauëll: 2004-shi do të jetë një vit entuziast - 2004-01-14


Falë koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, Afganistani dhe Iraku janë çliruar dhe bota është më e sigurt. Dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Kolin Pauëll, thotë se disa zhvillime dramatike kanë ndodhur edhe në pjesë të tjera të botës, përfshirë kontinentin afrikan:

“Ne pamë Libinë të vendosë pas shumë vjetësh se nuk ia vlente të vazhdonte lojën e saj, se nuk ia vlente barra qiranë të vazhdonte përpjekjet për zhvillimin e armëve të shkatërrimit në masë. Dhe si rezultat i një diplomacie të shëndoshë nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe duke punuar me libianët, ju jeni të vetëdijshëm për njoftimin se Tripoli ka rënë dakord të heqë dorë nga armë të tilla dhe ne po i ndjekim nga afër hapat libiane për të siguruar realizimin e verifikueshëm të zhdukjes së atyre armëve dhe të programeve të tyre. Më pas, ne do të hyjmë në negociata me libianët mbi natyrën e marrëdhënieve tona në të ardhmen. Por, fillimisht, theksoi Sekretari Pauëll, ne duhet të verifikojmë përmbushjen e premtimeve të tyre.”

Diplomacia nuk sjell rezultate brenda ditës. Mirëpo, ajo po sjell rezultate të dëshiruara në rastin e Libisë, thotë zoti Pauëll, dhe kemi vënë re shenja përmirësimi edhe në Sudan: “Negociatorët në Kenia kanë arritur marrëveshjen për ndarjen e pasurisë. Kanë mbetur pa u zgjidhur vetëm një ose dy çështje të vështira që kanë të bëjnë me kontrollin e territoreve të caktuara. Por, i rëndësishëm është fakti se pas 20 vjetë lufte të tmerrshme civile, udhëheqësit sudanezë janë bashkuar dhe u kanë mbetur vetëm pak hapa për arritjen e një marrëveshjeje të gjithanëshme që do të sjellë paqen në Sudan.”

Edhe në Liberi, thotë Sekretari Pauëll, presidenca e dhunëshme e Çarls Tejlorit mori fund. Ish presidenti Tejlor ka mërguar në Nigeri dhe Liberia mund të fillojë tani procesin e rindërtimit.

“Ne, theksoi zoti Pauëll, kemi punuar me miq dhe partnerë në Afrikë dhe në Kombet e Bashkuara për arritjen e këtyre rezultateve dhe kemi dhënë një ndihmë shumë të vogël ushtarake për të siguruar që zoti Tejlor të largohet nga vendi dhe që popullit liberian t’i jepet mundësia për të ndërtuar të ardhmen e tij.”

Në të gjitha këto zona, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të punojnë me miq dhe partnerë. “2004-shi, theksoi Sekretari i Shtetit, Pauëll, do të jetë një vit entuziast.” //xh//

XS
SM
MD
LG