Lidhje

Diktatura nuk ka vend në kontinentin amerikan - 2004-01-15


Udhëheqësit e 34 demokracive të Hemisferës Perëndimore u mblodhën këtë javë në Monterrey të Meksikës për një takim të nivelit të lartë, që kishte si synim nxitjen e begatisë, të paqes dhe të lirisë në rajonin e tyre. Fidel Kastroja i Kubës, diktatori i vetëm i Hemisferës, nuk ishte ftuar. Disa mund të pyesin: ”përse?”

Kohët e fundit, Kastroja festoi 55 vjetorin e ardhjes së tij në fuqi në Kubë, duke deklaruar se revolucioni komunist ka ndërtuar ”një shoqëri të re dhe më humane, me më shumë përvojë, entusiazëm, forcë dhe ëndrra se kurrë ndonjëherë.” Por fakti është se Kastroja mban në këmbë një sistem shtypës që i mohon popullit kuban jetën dhe lirinë. Regjimi i tij përndjek disisdentët dhe veprimtarët e të drejtave të njeriut. Qindra të burgosur politikë dergjen në qelitë e Kubës. Gazetarët e pavarur provokohen dhe kërcënohen. Siç u shpreh presidenti Bush në takimin e vendeve të kontinentit amerikan, shtypja duhet të marrë fund.

”Ne duhet të punojmë të gjithë për një kalim të shpejtë dhe paqësor drejt demokracisë në Kubë. Së bashku, ne do t’ja dalim mbanë, sepse fryma e lirisë nuk vyshket, qoftë edhe në skutat më të errta të burgjeve të Kastros,” tha Presidenti Bush.

Këshilltarja e Sigurimit Kombëtar amerikan, Condoleezza Rice tha nga ana e saj se Presidenti Bush ka ofruar të zbutë kufizimet tregtare dhe turistike nëse Kastroja zbaton në Kubë reforma politike dhe ekonomike.

”Presidenti e tha publikisht se Shtetet e Bashkuara mund të fillojnë madje të ndryshojnë natyrën e marrëdhënieve me Fidel Kastron nëse ai është i gatshëm t’u lejojë kubanëve disa të drejta demokratike, si për shembull në zgjedhjet parlamentare. Por si u përgjigj Kastroja? Ai u përgjigj me masa akoma më të ashpra kundër disidentëve, masa që e kanë bërë objekt kritikash në Evropë, Amerikën Latine dhe në vendet kudo në botë,” tha zonja Rice.

Udhëheqësit që morën pjesë në takimin e nivelit të lartë miratuan një Kartë Demokratike Ndëramerikane. Aty deklarohet se popujt e kontinentit amerikan kanë të drejtën për demokraci dhe qeveritë e tyre kanë detyrimin ta nxisin dhe ta mbrojnë atë. Pikërisht për këtë arësye, në takimin e Meksikës nuk kishte vend për Fidel Kastron. Siç u shpreh Presidenti Bush, ”Diktatura nuk ka vend në kontinentin amerikan.”

XS
SM
MD
LG