Lidhje

Rakipi: Të kontrollohen të gjitha pasuritë e vëna me aktivitete kriminale - 2004-01-16


Tragjedia e 9 janarit tregoi se krimi i organizuar vazhdon të jetë një prej problemeve më të vështira me të cilat po përballet Shqiperia. Por sa i përhapur është ai? A është i lidhur ai me politikën dhe sa e aftë është drejtësia ta luftojë atë? Lidhur me këto çështje Zëri i Amerikës zhvilloi një intervistë me ish-Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë, zotin Arben Rakipi.

Zëri i Amerikës: Zoti Rakipi, fillimisht çfarë mendoni për fushatën që ka ndërmarrë qeveria gjatë ditëve të fundit për të luftuar krimin e organizuar, trafiqet dhe sa serioze janë këto dukuri për Shqipërinë?

Arben Rakipi: Me sa jam në dijeni, kohët e fundit qeveria shqiptare ka marrë një sërë masash për të luftuar krimin e organizuar dhe trafiqet në përgjithësi. Ndër masat kryesore shihet se është krijimi i strukturave të posaçme për të luftuar krimin e organizuar, të specializuara në fushën e ndjekjes penale dhe të gjykimit. Është masë e rekomanduar edhe nga organizatat dhe aktet ndërkombëtare, në të cilat Shqipëria është palë. Njëkohësisht masat e tjera plotësuese, si ato që lidhen me mjetet efikase që do të kenë këto struktura për të luftuar krimin e organizuar, si në rastin e sekuestrimeve dhe konfiskimeve të pasurive që vijnë nga trafiqet kriminale, në tërësinë e tyre janë për t’u përshëndetur dhe tregojnë që fillimi është i mbarë. Sigurisht në të gjithë këto masa, në të gjithë këtë situatë, e rëndësishme është të ruhet balanca ndërmjet sigurimit të të drejtave dhe lirive themelore të të proceduarit dhe nevojës që ka shoqëria shqiptare për të luftuar krimin e organizuar. Ligjet duhen bazuar në kushtetutën shqiptare dhe në aktet ndërkombëtare në të cilat Shqipëria është palë.

Zëri i Amerikës: A keni ndonjë shqetësim lidhur me këtë, sepse flitet që kryeministri Nano ka propozuar një projekt-ligj, sipas modelit të ligjit italian për anti-mafian.

Arben Rakipi: Shqetësimi im kryesor lidhur me këtë, ndoshta nuk është real, për shkak të informacionit të mangët që mund të kem, por shqetësimi im është që masa e dënimeve dhe represioni duhet të jetë i balancuar dhe në përputhje me rrezikun që ato vepra paraqesin. Në të kundërt çdo dispozitë ekstreme do të përplasej me dispozitën tonë kushtetuese për dënim degradues dhe denigrues, njëkohësisht edhe me aktet ndërkombëtare që ndalojnë dhënien e dënimeve të tilla. E dyta, veprimtaria duhet të jetë e shtrirë së gjëri në përputhje me dispozitën tjetër kushtetuese që siguron barazinë e njerëzve para ligjit. Të shihen në tërësi të plotë të gjitha pasuritë e vëna nga aktivitetet kriminale.

Zëri i Amerikës: Zoti Rakipi, të kthehemi edhe një herë tek masat që ka marrë qeveria ditët e fundit, kohët e fundit. Pse duhej pritur deri sot, derisa ndodhi tragjedia e 9 janarit dhe sa ndryshojnë këto veprime që janë ndërmarrë tani nga veprimet para një viti, apo para dy vjetësh?

Arben Rakipi: Inciativa të tilla kanë qenë ndërmarrë, kujtoj nga viti 1998, por janë ndërprerë. Nuk e di, rrethanat e kohës ndoshta, bënë që ato të ndërpriten. Por është e kuptueshme, që situata të tilla, ngjarje të tilla risjellin në skenë nevojën për të ndërmarrë të tilla iniciativa, kështu që besoj se nuk ka asgjë për t’u kundërshtuar në këtë pikë. Realiteti shqiptar ka shtruar gjithmonë nevojën e strukturave të tilla, por unë përpos asaj që po diskutohet në Tiranë, do të dalloja edhe nevojën që Shqipëria ka për të përmbushur aktet ndërkombëtare në të cilat ka marrë pjesë, siç është Konventa kundër Korrupsionit, Konventa kundër Parave të Pista e kështu me radhë. Në to janë shtruar njëra pas tjetrës disa detyra, të cilat është e domosdoshme të përmbushen, madje gjykoj se jemi pak vonë.

Zëri i Amerikës: Zoti Rakipi, ju keni një përvojë që jo shumë zyrtarë e kanë patur në Shqipëri, keni përvojën e Shqipërisë dhe tani keni përvojën që jeni këtu prej disa muajsh. Çfarë rekomandimesh mund të jepni ju për të luftuar këto dukuri?

Arben Rakipi:Pavarësisht se si mund të priten në Tiranë, rekomandimi i parë do të ishte që institucionet shqiptare duhet të punojnë të gjitha së bashku. Është e rëndësishme që legjislacioni që po përpunohet atje, të mund të sigurojë domosdoshmërisht detyrimin e të gjitha institucioneve për të punuar së bashku. Në qoftë se në administratën shqiptare nuk prodhohet informacioni i duhur për strukturat gjyqësore dhe prokurorinë, veçanërisht për prokurorinë, atëherë situata do të ngelet ajo që është dhe niveli i kriminalitetit po ai, ose në rritje, sidomos ai që lidhet me shpërdorimin e detyrës. Rekomandimi i dytë është ai që thashë pak më parë: nevoja e rishikimit të gjithë akteve ndërkombëtare, për të marrë prej tyre ato detyrime që tashmë janë firmosur. E treta, që të bënin kujdes të madh në përzgjedhjen e njerëzve. Fatkeqësisht e gjithë kjo që po flasim përfundon tek dëshirat subjektive të zbatimit të ligjit, ose të detyrave nga një nëpunës i thjeshtë e kështu me radhë. Dhe e fundit që do të mund të plotësonte si të thuash kuadrin legjislativ të këtij procesi dhe të kohës, është që të shihej mundësia e hartimit me urgjencë të një ligji për rregullimin ligjor të dhuratave. Kanali “ligjor” i marrjes së dhuratave në Shqipëri, është një mbulesë shumë e mirë e korrupsionit.

Zëri i Amerikës: Zoti Rakipi, shumë analistë që kanë ndjekur zhvillimet në vendin tuaj thonë se problemi nuk është tek mungesa e ligjeve, legjislacionit, por është tek mungesa e vullnetit politik. A mendoni se tragjedia e ditëve të fundit mund të shërbejë si një shtytje për një veprim serioz?

Arben Rakipi: Unë them se mund të mund të shërbejë si shtytje dhe uroj që të shërbejë si shtysë. Kur thashë më parë që duhet bërë kujdes i madh në përzgjedhjen e njerëzve, pikërisht këtë kisha parasysh: vullnetin e strukturave administrative dhe strukturave të tjera shtetërore për të përzgjedhur në detyrat e rëndësishme njerëzit e duhur, njerëzit e posaçëm. Është e njohur tashmë që struktura dhe ambjente të infektuara, prodhojnë elementë të infektuar. //kk//

XS
SM
MD
LG