Lidhje

Presidenti Bush: Shtetet e Bashkuara po mbështesin proceset demokratike në Lindjen e Mesme - 2004-01-17


Presidenti Bush thotë se Shtetet e Bashkuara po mbështesin proceset demokratike në Lindjen e Mesme si alternativë ndaj terrorizmit dhe dhunës. Presidenti e shfrytëzoi fjalimin e tij javor në radio për të përvijuar fjalimin që do të mbajë të martën mbi gjendjen e vendit.

Presidenti Bush thotë se amerikanët janë përballur me një numër sfidash të mëdha gjatë viteve të fundit dhe janë përgjegjur me forcë e mëshirë ndërkohë që vendi zhvillon atë që ai e cilësoi si fushatë të apepur kundër terrorizmit.

“Ne po e zhvillojmë këtë luftë në ofensivë, duke u mohuar terroristëve strehim, duke identifikuar dhe konfiskuar financat e tyre të fshehta dhe duke mbajtur përgjegjës terroristët dhe përkrahësit e tyre. Këta terroristë janë ende të rrezikshëm, theksoi Presidenti Bush, dhe ne do ta vazhdojmë luftën kundër tyre derisa t’i shkatërrojmë plotësisht.”

Në gjithë Lindjen e Mesme, tha Presidenti Bush, amerikanët po përballen me rrezik dhe po ngjasllin shpresa. Ai tha se në Afganistan, përmbysja e rregjimit taleban çoi në miratimin e një kushtetute të re, e cila nxit demokracinë dhe mbron të drejtat e grave.

“Udhëheqësi i Libisë ka premtuar të çmontojë programet e tij të armëve të shkatërrimit në masë. Dhe në Irak, armiqt e lirisë po nxirren nga strofkat e tyre dhe po arrestohen. Irakianët po marrin përgjegjësi më të madhe për sigurinë e tyre dhe për krijimin e qeverisë së tyre të ardhshme. Trupat amerikane në atë vend po kryejnë detyrën me aftësi e guxim dhe ne jemi krenar për të gjithë ata”, theksoi Presidenti Bush.

Për sa i përket politikës së brendshme, Presidenti Bush tha se marrëveshja për ndryshime në kujdesin shëndetësor për amerikanët e moshuar i ka dhënë fund ngecjes politike. Ai thotë se shkurtimet e taksave kanë ndihmuar në rimëkëmbjen e ekonomisë, duke dyfishuar përfitimet në taksa për fëmijë dhe shtuar stimujt për bizneset e vogla për të investuar në pajisje të reja dhe për të krijuar vende pune.

Kurse demokratët thonë se shkurtimet e taksave favorizojnë padrejtësisht amerikanët më të pasur dhe po rrisin deficitin federal.

Në fjalimin e demokratëve javor në radio, deputeti i shtetit Maine, Michael Michaud, kritikoi humbjen e vendeve të punës nën administratën e Presidentit Bush.

“Gjatë ditëve të fundit kemi dëgjuar shumë rreth atyre që republikanët kanë në plan të bëjnë për popullin amerikan. Mirëpo, nganjëherë dyshoj nëse ndonjë anëtar i kësaj adsministrate ka rënë në kontakt me njerëzit, për të cilët ata pretendojnë se po punojnë”, tha deputeti Michaud.

Demokratët shpresojnë ta përdorin ekonominë për t’i ndihmuar ata të fitojnë ndaj Presidentit Bush në zggjedhjet e nëntorit.

Fjalimi vjetor mbi gjendjen e vendit që mban para Kongresit është rasti më i mirë për presidentin për të paraqitur vizionin e tij për Amerikën. Në një vit zgjedhjesh, ky fjalim është njëkohëisht një përvijim i çështjeve në të cilat presidenti ka në plan të mbështetë fushatën e tij elektorale.

Presidenti Bush thotë se në fjalimin e së martës, ai do të bëjë të njohur hapat për krijimin e vendeve të punës, për të ndihmuar bizneset e vogla që të paguajnë për kujdesin shëndetësor dhe për përmirësimin e arsimit. Presidenti Bush thotë se do ta bëjë vendin më të sigurt, më të begatë dhe më premtues. //kk//

XS
SM
MD
LG