Lidhje

Irak: Të paktën 20 të vdekur nga një shpërthim vetëvrasës - 2004-01-18


Një shpërthim vetëvrasës, në qendër të Bagdadit shkaktoi vdekjen e të paktën 20 vetave, ndërkohë që administrata e presidentit Bush përpiqet të sigurojë mbështetjen e Kombeve të Bashkuara për planet e saj për t’ua kaluar pushtetin irakianëve nga mesi i këtij viti.

18 irakianë dhe 2 persona të tjerë, që mendohet të jenë amerikanë, humbën jetën kur një kamjon i mbushur me eksploziv shpërtheu dje pranë selisë së Autoritetit të Përkohshëm të Koalicionit. Më shumë se 100 veta u plagosën.

Shpërthimi ndodhi një ditë para se kryeadministratori amerikan në Irak, Paul Bremer, të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Basghkuara, Kofi Annan, në New York. Ata kanë në plan të diskutojnë rolin e mundshëm në të ardhmen të OKB-së në Irak.

Ambasadori Bremer do të kërkojë gjithashtu ndihmën e Kombeve të Bashkuara për të bindur komunitetin shiit të Irakut, i cili përbën shumicën, që të mbështesë planet amerikane për kalimin e pushtetit në Irak.

Kleriku i lartë shiit i Irakut, Ajatollahu i Madh Ali al-Sistani, ka kundërshtuar planet e Shteteve të Bashkuara për zgjedhjen e parlamentit dhe të qeverisë së përkohshme jo me vota të drejtë për drejta. Ai thotë se një sistem i tillë do t’u mohonte autoriteteve të Irakut legjitimitetin e nevojshëm. Ajatollahu al-Sistani ka bërë thirrje për zgjedhjen e parlamentit dhe të qeverisë me vota të drejtë për drejta.

Zyrtarët amerikanë thonë se do të ishte tepër e vështirë që të bëhet regjistrimi i votusve dhe që zgjedhjet e përgjithshme të mbahen para kalimit të pushtetit, që është planifikuar për në qershor të këtij viti.

//ze//

XS
SM
MD
LG