Lidhje

Qeveria e Haitit shtyp opozitën dhe terrorizon median - 2004-01-20


Në Haiti vazhdon dhuna politike. Policia dhe bandat pro-qeveritare sulmuan kohët e fundit demonstruesit në kryeqytetin Port-au-Prince. Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Richard Boucher tha se Shtetet e Bashkuara i dënojnë veprimet e qeverisë së Haitit:

“Disa policë në këto demonstrata bashkëpunuan me banda të paguara, të armatosura rëndë, për të sulmuar demonstruesit. Ne mendojmë se këto veprime bien në kundërshtim me deklarimet e vetë qeverisë se po përpiqet të arrijë kompromis dhe u bëjmë thirje autoriteteve t’u japë menjëherë fund përpjekjeve për të shtypur kundërshtimin paqësor,” tha zoti Boucher.

Gjatë muajve të fundit, më shumë se 12 vetë janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur në protestat politike në Haiti. Bandat e mbështetura nga qeveria, të veshura me maska dhe të armatosura me armë automatike vërshuan në rrugët e kryeqytetit ku vodhën makina, sulmuan radio stacione, vandalizuan biznese dhe sulmuan demostruesit. Në vend që të fillonte ndjekja penale e këtyre elementëve, autoritetet në Haiti po bashkëpunojnë me ta.

Protestat e kanë zanafillën tek vjedhja e votave në zgjedhjet vendore dhe legjislative në maj të vitit 2000. Partia politike në pushtet Fanmi Lavalas manipuloi numërimin për të siguruar kontrollin e senatit të Haitit. Partitë politike të opozitës bojkotuan raundin e dytë të zgjedhjeve në korrik 2000 si edhe zgjedhjet presidenciale në nëntor. Si rezultat, presidenti Jean-Bertrand Aristide u rizgjodh me një pjesëmarrje shumë të ulët në votime. Partitë e opozitës dhe grupet e shoqërisë civile kanë kundërshtuar gjithashtu të marrin pjesë në zgjedhje të reja nëse presidenti Aristide nuk jep dorëheqjen. Ata janë angazhuar në protesta publike gjithnjë e më të mëdha.

Qeveria e Haitit është përgjigjur duke sulmuar opozitën dhe shtypin. Në shtator 2002, Komisioni Ndër-Amerikan mbi të Drejtat e Njeriut protestoi kundër “vrasjes së gazetarëve në Haiti, si dhe lidhur me një numër të madh ankesash rreth frikësimit dhe kërcënimit ndaj gazetarëve dhe medias,” e të tjerëve.

Fjala e lirë dhe institucionet demokratike po kërcënohen në një kohë kur Haiti ka nevojë për to më shumë se kurrë. Ka shumë probleme serioze që kërkojnë zgjidhje. Ekonomia e Haitit mbetet e varur nga ndihmat e huaja dhe paratë që dërgojnë haitianët që jetojnë jashtë vendit. Industria e vetme në rritje është trafiku i paligjshëm i drogës. Kriza politike e Haitit mund të zgjidhet përmes dialogut dhe shtetit ligjor. Por për ta realizuar këtë, qeveria e Haitit duhet të mbrojë të drejtat e qytetarëve.

//ad//

XS
SM
MD
LG