Lidhje

Presidenti Bush mban fjalimin për gjendjen e vendit - 2004-01-21


Në fjalimin e tij mbi gjendjen e vendit, Presidenti Bush theksoi sukseset në luftën kundër terrorit dhe mbrojti vendimin për të ndërhyrë ushtarakisht në Irak. Në fjalën që mbajti në një sesion të përbashkët të të dyja dhomave të Kongresit, presidenti tha se forcat amerikane të dislokuara nëpër vende të ndryshme të botës po e bëjnë Amerikën më të sigurt. Presidenti Bush e cilësoi bashkimin amerikan si të fortë dhe të sigurt. Por, ai paralajmëroi se megjithëse kanë kaluar më shumë se dy vjet pa u kryer sulme në truallin amerikan, terroristët vazhdojnë të komplotojnë kundër Shteteve të Bashkuara dhe botës së qytetëruar.

Presidenti Bush e hapi fjalimin duke folur për sfidat e jashtëzakonshme me të cilat është përballur Amerika dhe për arritjet e saj historike.

"Amerika është sonte një vend i thirrur përballë përgjegjësish të mëdha Dhe ne po u dalim zot këtyre përgjegjësive, tha ai. Amerika, tha Presidenti, nuk e përshkoi këtë rrugë plot tragjedi, sprova dhe luftë për të dështuar dhe për ta lënë detyrën të pambaruar. Amerikanët po i dalin zot barrës që u ka ngarkuar historia dhe ata presin që edhe ne të veprojmë po ashtu, theksoi presidenti."

"Përgjegjësia jonë më e madhe, tha ai, është mbrojtja në mënyrë aktive e popullit amerikan. Që nga 11 shtatori 2001 kanë kaluar 28 muaj, janë më shumë se dy vjet gjatë të cilëve ndaj truallit amerikan nuk është ndërmarrë ndonjë sulm dhe kjo mund t’i joshë disa të besojnë se rreziku ka kaluar. Kjo është një shpresë e kuptueshme, qetësuese por njëkohësisht e rreme."

"Amerika, tha Presidenti Bush, është në ofensivë kundër terroristëve. Si pjesë e ofensivës kundër terrorit, Shtetet e Bashkuara po përballen gjithashtu me regjime që strehojnë dhe mbështesin terroristët dhe që mund t’u venë atyre në duar armë bërthamore, kimike dhe biologjike."

"Si rrjedhojë e rolit udhëheqës dhe vendosmërisë së Amerikës bota po ndryshon për mirë."

Presidenti foli pastaj mbi përparimin e bërë në Afganistan dhe në Irak. Ai tha se ”burrat dhe gratë e Afganistanit po ndërtojnë një vend që është i lirë, krenar dhe që lufton terrorizmin.”

"Puna për ndërtimin e një Iraku të ri është e vështirë por është e drejtë. Dhe Amerika gjithnjë ka qenë e gatëshme të bëjë gjithçka është e nevojshme për një çështje të drejtë, tha Presidenti.”

”Disa kritikë, tha Presidenti, janë shprehur se detyrat tona në Irak duhet të ndërkombëtarizohen. Këto kritika është e vështirë t’ua shpjegosh partnerëve tanë në Britani, Australi, Japoni, Korenë e Jugut,, Filipine, Tailandë, Itali, Spanjë, Poloni, Danimarkë, Hungari, Bullgari, Ukrainë, Rumani, Holandë, Norvegji, Salvador dhe në të 17 vendet e tjera që kanë dërguar trupa në Irak. Ndërkohë që ne debatojmë këtu në vendin tonë, ne nuk duhet të harrojmë kurrë ndihmesën jetike të partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe as sakrificat e tyre, tha Presidenti Bush.

Presidenti shpjegoi më pas se përse ai është optimist për ekonominë. Ai i bëri thirrje Kongresit të miratojë ligje që do ta kthenin rigjallërimin ekonomik në një proces afatgjatë.

"Ekonomia në rritje e Amerikës është njëkohësisht një ekonomi në ndryshim. Ndërkohë që teknologjia po transformon mënyrën e kryerjes së pothuajse çdo pune, Amerika bëhet më produktive dhe punëtorët kanë nevojë për aftësi të reja. Ne, tha Presidenti Bush, duhet të përgjigjemi duke ndihmuar sa më shumë amerikanë të fitojnë aftësitë për të gjetur punë të mira në ekonominë e re të vendit."

Presidenti Bush i bëri thirrje Kongresit që të reformojë ligjet e imigracionit.

”Unë propozoj një program të ri për punë të përkohshme që do të plotësonte njëkohësisht kërkesat e punëtorëve të huaj dhe të punëdhënësve amerikanë në ato raste kur nuk ka amerikanë që t’i bëjë këto punë. Kjo reformë do të ishte e favorshme për ekonominë sepse punëdhënësit do të mund të gjenin punëtorët që u duhen përmes një sistemi të ndershëm dhe të rregullt,” tha Presidenti.

"Përsa i përket çështjes kritike të kujdesit shëndetësor, tha ai, objektivi ynë është të garantojmë se amerikanët mund të zgjedhin dhe të përballojnë sigurimin privat shëndetësor që u përshtatet më mirë nevojave të tyre individuale. Për ta bërë sigurimin shëndetësor më të përballueshëm, Kongresi duhet të veprojë për t’ju përgjigjur me shpejtësi kostos në rritje të shërbimit shëndetësor."

Presidenti Bush theksoi se në këtë kohë ndryshimesh të mëdha në Amerikë dhe në botë, ato gjëra që e bëjnë vendin të fortë, nuk duhet të ndryshojnë kurrë.

"Ne jetojmë në një kohë ndryshimesh të mëdha. Megjithatë, disa gjëra mbeten të pandryshuara, si guximi, zemërgjerësia, nderimi për të tjerët dhe integriteti, respekti për diferencat e besimit dhe të racës. Vlerat me të cilat ne përpiqemi të jetojmë, nuk ndryshojnë kurrë. Ato janë të rrënjosura brenda nesh përmes institucioneve bazë si familjet, shkollat, komunitetet fetare. Këto institucione, që janë shtyllat e padukëshme të qytetërimit, duhet të mbeten me çdo kusht të forta në Amerikë," tha Presidenti Bush në fjalimin për gjendjen e vendit.

Në përgjigjen e demokratëve ndaj fjalimit të Presidentit udhëheqësja demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e kritikoi Presidentin se ka ndjekur një politikë të jashtëme që e le vendin të izoluar.

Ajo tha se Presidenti e futi vendin në një luftë në Irak mbi bazën e supozimeve të paprovuara dhe se ai nuk arriti të ndërtojë një koalicion të vërtetë ndërkombëtar.

Ndërsa në komentet e tij, udhëheqësi demokrat i senatit, Tom Daschle, tha se Presidenti foli për objektiva të mëdha dhe Amerika nuk duhet të ngurrojë kurrë për t’i zgjeruar kufijtë e eksplorimit. Por nga ana tjetër, tha ai, ne nuk duhet të tërhiqemi nga synimi i madh për të krijuar një bashkim akoma më të përsosur këtu brenda vendit.

Senatori Daschle tha se ”në vend të një shoqërie që i kufizon shpërblimet e saj vetëm për një pakicë të privilegjuar, ne na duhet një shoqëri e mundësive, që i lejon të gjithë amerikanët të jenë të suksesshëm.//ii

XS
SM
MD
LG