Lidhje

Kosovë: Presidenti Rugova mban fjalimin e parë në Parlamentin e vendit - 2004-01-22


Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, tha sot, se viti 2004 do të jetë periudhë e përmbushjes së standardeve, përparimit të mëtejshëm të Kosovës dhe përpjekjeve për njohjen e pavarësisë së saj.

Ai i bëri këto komente gjatë një fjalimi para deputetëve të Parlamentit të Kosovës, i pari i këtij lloji që nga themelimi i institucioneve të përkohëshme të vetëqeverisjës.

Presidenti Rugova lavdëroi punën e Parlamentit dhe e vlerësoi si të mirë atë të qeverisë. “Presidenti i Kosovës është kujdesur për fnksionimin e institucioneve dhe i ka ndihmuar ato me ide e propozime dhe ka luajtur rolin reprezentativ të popullit dhe të gjithë qytetarëve në vend dhe jashtë. Prioritet kryesor ka qenë ruajtja dhe forcimi i stabilitetit politik dhe shtetëror të vendit”, tha presidenti Rugova.

Ai tha se vitet e fundit, ishin periudhë e përparimit në të gjitha fushat në Kosovë, përfshirë edhe forcimin e sigurisë publike, për të cilin premtoi përkrahje për Shërbimin Policor dhe Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

Në të ardhmen, institucionet vendore do të përqëndrohen më shumë në zhvillimin ekonomik, integrimin e grupeve etnike dhe në garantimin dhe mbrojtjen e tyre, tha presidenti Rugova, duke u bërë thirrje atyre që të tregojnë më shumë vullnet për një integrim të tillë.

Institucionet do të angazhohen për ndriçimin e fatit të mijëra personave që vazhdojnë të llogariten si të zhdukur. Ai tha se një kujdes i veçantë do t’i kushtohet përfaqësimit të Kosovës, nëpërmjet hapjes së zyrave në botën e jashtme.

Ndërkaq, tha presidenti Rugova, së bashku me Misionin e Kombeve të Bashkuara do të punohet në kalimin e më shumë përgjegjësive tek institucionet vendore. Një ndër çështjet më të rëndësishme është vlerësimi i standardeve për Kosovën të cilat, tha ai, janë në të mirë të zhvillimit dhe përparimit të vendit.

“Deputetë të nderuar. Njëherësh ne do të punojmë dhe insistojmë në njohjen formale të pavarësisë së Kosovës, gjë që do të shpejtonte dhe stabilizonte proceset e brendshme ekonomike e demokratike dhe do të qetësonte këtë pjesë të Europës e të botës, si dhe popullin e Kosovës. Ne duam një Kosovë të pavarur, demokratike e paqësore, të integruar në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA, që është vullnet politik i popullit dhe i qytetarëve”, theksoi presidenti Rugova.

Ai u angazhua për marrëdhënie të mira me fqinjët, ndërsa shpresën se zgjedhjet e dyta parlamentare që pritet të mbahen në vjeshtë do të jenë të qeta sikurse edhe në të kaluarën.

Fjalimi i presidentit, i duartrokitur vazhdimisht nga deputetët e Lidhjes Demokratike, është kritikuar nga dy partitë tjera më të mëdha, ajo Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Përfaqësuesit e tyre pohuan se presidentit do të duhej t’i raportonte Parlamentit, por edhe sot ai nuk përmbushi detyrimet e tij kushtetuese. Fjalimi është kritikuar edhe nga deputetët serb,ë të cilët kërkuan që autoritetet ndërkombëtare të reagojnë ndaj kërkesave të presidentit Rugova për njohjen e pavarësisë së Kosovës.//ss//

XS
SM
MD
LG