Lidhje

Bush: përpjekjet amerikane e kanë ulur rrezikun terrorist - 2004-01-23


Presidenti Bush e përqëndroi vemendjen tek lufta kundër terrorizmit, ndërkohë që ai i dha fund udhëtimit të tij në 3 shtete të rëndësishme për rizgjedhjen e tij, pas fjalimit mbi gjendjen e vendit, që mbajti të martën mbrëma. Gjatë një ndalese më 22 janar në Roswell të shtetit New Meksiko, presidenti bëri të ditur se do t’i kërkojë kongresit një shtim të ndjeshëm të fondeve për sigurimin kombëtar.

Presidenti Bush thotë se ai kërkon që kongresi të mbajë nën kontroll shpenzimet qeveritare, por fondet për luftën kundër terrorizmit janë një përjashtim i madh nga ky rregull.

Në një fjalim që mbajti para një audience e përbërë kryesisht nga studentë të Institutit Ushtarak të New Meksikos, zoti Bush tha se kërkon një shtim prej 9 presje 7 përqind në shpenzimet për programet që synojnë parandalimin e një sulmi tjetër terrorist në tokën amerikane. Ai tha se fondet do të përfshihen në projekt-buxhetin federal për vitin e ardhshëm financiar, që ai do t’i dërgojë kongresit më 5 shkurt.

“Ne e kuptojmë detyrimin tonë në Washington. Detyrimi ynë është që të mos harrojmë kurrë atë që ndodhi në 11 shtator. Madje detyrimi ynë është të mbështesim personelin e departamentit të sigurisë kombëtare, ata që janë në vijën e frontit, që të përgatiten për një kërcënim të mundshëm,” tha presidenti.

Anketat e opinionit publik tregojnë se votuesit e shikojnë sigurimin kombëtar si pikë të fortë të presidentit, prandaj edhe presidenti gëzon mbështetje të madhe nga publiku për mënyrën se si po e trajton luftën kundër terrorizmit.

Zoti Bush u tha të pranishmëve të mbledhur në Qendrën Roswell të Konventave se po bëhet përparim në uljen e kërcënimit terrorist, gjë që është arritur nëpërmjet marrjes së disa masave, përfshirë përmbysjen e qeverive të rrezikshme në Afganistan dhe në Irak, si dhe kapjen e disa udhëheqësve të rrjetit terrorist Al-Kaida e të ish udhëheqësit irakian, Sadam Husein.

“Një nga një, ne do t’i nxjerrim ata para drejtësisë. Nuk ekziston një vrimë aq e thellë sa për t’iu fshehur Amerikës,” tha presidenti.

Presidenti përsëriti çështjet që preku gjatë fjalimit mbi gjendjen e vendit, të cilin e mbajti të martën mbrëma. Ai paralajmëroi se terroristët vazhdojnë të organizojnë komplote kundër Shteteve të Bashkuara, por theksoi se Amerikan do të triumfojë.

“Detyra ime si presidenti juaj është të jem realist, vigjëlent, të kuptoj mësimet e nxjerra nga 11 shtatori 2001, të kuptoj se ka ende terroristë që duan të na sulmojnë. Nëpërmjet vullnetit tonë, vendosmërisë tonë të patundur, guximit tonë, ne do ta fitojmë luftën e parë të shekullit të 21,” tha presidenti.

Para se të shkonte në New Meksiko, zoti Bush bëri vizita të tipit të fushatës në shtetet Ohio dhe Arizona. Në të dy këto shtete, ai u përqëndrua tek ekonomia dhe plani i tij për të shtuar fondet qeveritare për programet, që ndihmojnë rikualifikimin e punëtorëve, të cilët kanë humbur vendet e punës në sektorin e prodhimit. //ad//

XS
SM
MD
LG