Lidhje

Zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara dhe politika e jashtme - 2004-01-24


Çdo katër vjet, sistemi politik amerikan merr hov kur kandidatët së pari përpiqen të fitojnë emërimin e partisë së tyre dhe më pas fituesit fillojnë fushatën presidenciale për zgjedhjet që mbahen në nëntor.

Këtë vit, vëmendjen e kanë tërhequr kandidatët demokratë sepse presidenti aktual George Bush nuk ka ndonjë kundërshtar nga partia e tij. Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë para ca ditësh zhvilloi një diskutim lidhur me fushatën zgjedhore.

Politika e jashtme pritet të luajë një rol të rëndësishëm në zgjedhjet e sivjetme. Në një diskutim të organizuar nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë, pjesëmarrësit ishin të një mendimi se presidenti Bush vazhdon të duket si fitues i zgjedhjeve. Vendi vazhdon të jetë i përçarë siç ishte në vitin 2000, por sipas analistit Edward Rollins, kësaj radhe presidenti Bush do të mund të fitojë disa shtete që nuk i fitoi në vitin 2000.

“Ai shihet si një udhëheqës. Ai shihet si dikush që na ka udhëhequr në luftë. Ai respektohet nga ushtria. Ai e udhëhoqi partinë republikane në zgjedhjet e vitit 2002 në kongres, në të cilat kjo parti fitoi disa vende. Pra në realitet njerëzit nuk po kërkojnë një alternativë siç ishte rasti me presidentin e parë Bush”, tha ai.

Anketat e fundit të opinionit publik tregojnë se populariteti i presidentit Bush ka rënë ndjeshëm. Vetëm 50 përqind e amerikanëve përkrahin punën që ka bërë ai si president, përqindje kjo më e ulëta që kur filloi nga detyra e tij. Por zoti Rollins thotë se kjo shifër do të ngrihet sapo presidenti të fillojë fushatën.

Kushtetuta amerikane parasheh një sistem të ndërlikuar për zgjedhjen e presidentit. Ai nuk zgjidhet drejtëpërdrejtë nga populli por nga votat e kolegjit elektoral të cilat janë ndarë në mënyrë proporcionale mes të shteteve. Kështu që kandidati i cili fiton një shtet, pa marrë parasysh ndryshimin në votat e fituara, fiton të gjitha votat elektorale të atij shteti. Zakonisht, kandidati me numrin më të madh të votave elektorale ka edhe numrin më të madh të votave popullore, por 3 herë në historinë amerikane kjo nuk ka ndodhur. Në vitin 2000, George Bush fitoi votat elektorale por humbi ato popullore.

Andrew Kohut, drejtor i Qendrës Kërkimore Pew në Uashington, thotë se presidenti Bush duhet të përfitonte nga politika e jashtme, që ka ndjekur.

“Kapja e Sadam Husenit ka zbutur shqetësimet e njerzve lidhur me gjendjen në Irak. Lidhur me luftën në Irak, njerëzit vazhdojnë të besojnë se ishte hapi i duhur edhe pse kanë dyshime rreth kohës dhe mënyrës se si u bë”, thotë ai.

Douglas Shoen, ish këshilltar politik i presidentit Klinton, nuk është i këtij mendimi. Ai thotë se presidenti Bush ka dështuar nga një çëshjte në tjetrën për sa i përket politikës së jashtme dhe këtë ai e sheh si një dobësi të presidentit për zgjedhjet e ardhshme. Zoti Shoen përshkruan disa mënyra se si demokratët mund ta sulmojnë presidentin Bush.

“A jemi me të vërtetë më të sigurtë nën administratën e presidentit Bush? A e kemi fituar luftën kundër terrorizmit? Sipas të gjitha gjasave jo. A kemi qenë të sukseshëm në Irak dhe Afganistan? Kjo nuk është aq e qartë. A e kemi neutralizuar rrezikun e Koresë së Veriut? Prapë sipas të gjitha gjasave jo. Pra po të bësh pyetje të tilla rreth presidentit, përgjigja mund të jetë neutrale apo negative,” shpjegon zoti Shoen.

Dobësia më e madhe e presidentit mund të jenë çështjet e brëdshme. Anketat e opinionit tregojnë se elektorati është mjaft i shqetësuar. Edhe analisti Rollins ofron këshilla për demokratët. Ai thotë se presidenti nuk duhet të sulmohet rreth mënyrës se si ai e udhëhoqi luftën në Irak siç ka vepruar kandidati Howard Dean sepse kjo mund të përkrahet vetëm nga ata që ishin kundër luftës. Por zoti Kohut thotë se në zgjedhje ka pasur ndryshime të rëndësishme në dobi të presidentit Bush. Ai shton se demokratët nuk mund të mbështeten në disa segmente të caktuara të elektoratit.

“Dy grupe të rëndësishme të cilat tradicionalisht kanë mbështetur demokratët po i japin tani një përparësi më të madhe forcimit të ushtrisë. Femrat tani i japin më shumë rëndësi forcimit të ushtrisë se sa meshkujt. Gjithashtu edhe të moshuarit i japin kësaj një përkrahje më të madhe se të rinjët. Gratë dhe të moshuarit kanë qënë dy grupe votuesish që kanë mbështetur demokratët dhe për ta ky ndryshim përbën një problem të madh.”

Të tre analistët mendojnë se Howard Dean është kandidati me më pak shanse për të fituar kundër presidentit Bush. Edhe pse Senatori John Kerry tani për tani është duke udhëhequr në anketa, analisti Rollins thotë se kandidati me më shumë shanse kundër presidentit Bush është gjenerali Wesley Clark.

XS
SM
MD
LG