Lidhje

Dy eksperte analizojnë nismën e Francës për të hequr shamitë myslimane në shkolla - 2004-01-24


Projekt-ligji për të ndaluar shamitë e kokës në shkollat publike në Francë ka ngjallur protesta kudo në botë. Fundjavën e kaluar në shumë qytete në Lindjen e Mesme dhe Evropë, njerëzit dolën nëpër rrugë për ta kundërshtuar një nismë të tillë.

Në fakt, projekt-ligji parashikon gjithashtu të ndalohet përdorimi i kapave të hebrenjve, turbanëve dhe kryqëve të mëdhenj. Për këtë çështje delikate dhanë mendimet e tyre, Tamara C. Wittes, bashkëpunëtore shkencore për marrëdhëniet Arabo-Izraelite dhe ato amerikane me botën myslimane në Institutin Brookings, si edhe Kimberly J. Morgan, profesore në Universitetin George Washington, e specializuar për politikën e Evropës Perëndimore.

Projekt-ligji u paraqit si një përpjekje për të mbrojtur parimin e shekullarizmit, por njerëzit në Francë kanë mendime të ndryshme. Zonja Morgan, megjithatë mendon se kishte edhe një arsye tjetër:

“Në të njëjtën kohë, mendoj se një motiv i rëndësishëm që ka nxitur këtë politikë është përpjekja për t’ia hequr mbështetjen lëvizjes politike radikale që është fuqizuar në politikën franceze gjatë dy viteve të fundit”, thotë zonja Morgan.

Zonja Wittes, ekperte në marrëdhëniet amerikane me botën myslimane, thotë se mbajtja e shamive të kokës dhe perçeve është si një shprehje fetare, ashtu edhe kulturore. “Por është e rëndësishme të theksohet se për myslimanët që e praktikojnë fenë, mbulimi i kokës është një detyrim. Është diçka që i ka rrënjët tek Kurani, ku thuhet se gratë duhet të vishen thjeshtë. Kështuqë nga pikëpamja e një myslimani, kjo është diçka që ata duhet ta bëjnë, pavarësisht se çfarë kërkon ligji laik”, thotë ajo.

Zonja Wittes shton se sipas mendimit të saj, për imigrantët myslimanë që jetojnë në shoqërinë perëndimore, veçanërisht për brezat e rinj, kjo ka qenë një mënyrë për të mos i shkëputur lidhjet me vendin e prejardhjes, me identitetin kulturor dhe për të afirmuar lidhjen me traditat e tyre.

Meqenëse në projekt-ligj parashikohet që të ndalohen edhe turbanët, kryqet e mëdha dhe kapat çifute në shkollat publike, ka patur edhe reagime nga grupe të tjera si Sikët që mbajnë turbane dhe disa zyrtarë të lartë katolikë që e shohin një veprim të tillë si një sulm ndaj lirisë fetare.

Por a ka mundësi Presidenti Chirac ta kthejë mbrapsht projekt-ligjin? Ja ç’thotë zonja Morgan:

“Nuk besoj se ai sheh ndonjë arsye për të ndryshuar qëndrim, sepse në fakt projekt-ligji ka mbështetje të madhe. Sondazhet tregojnë se mbi 50 për qind e publikut është dakord me ligjin. Vetëm rreth 40 për qind e kundërshton atë. Dhe ai gëzon përkrahjen jo vetëm të partisë së tij, por edhe në përgjithësi të Partisë Socialiste në opozitë”, thotë ajo.

Zonja Morgan thotë se pavarësisht nga anketat, një projekt-ligj i tillë mund të shkaktojë acarime mes popullsisë muslimane dhe asaj jomyslimane në vend.

Në fakt, zonja Wittes thotë se edhe vetë myslimanët janë të ndarë në këtë çështje. Ajo thotë se disa prej tyre janë ndjerë për shumë kohë të përjashtuar dhe duan të integrohen më mirë në shoqërinë franceze, kështu që janë të gatshëm ta ndërmarrin këtë hap. Ndërsa të tjerë mendojnë se mund të jenë njëkohësisht plotësisht francezë dhe plotësisht myslimanë. Zonja Witte kujton se një betejë e tillë ka ndodhur në shumë shoqëri perëndimore dhe se tradicionalisht nocioni francez i identitetit kërkon më shumë uniformitet.

Kjo masë, mund të jetë fillimi i përpjekjeve të tjera. Zyrtarët i kanë parë si shqetësuese kërkesat e komunitetit afrikano-verior, për të patur pishina të veçanta për gratë, ose kërkesat e grave myslimane që të vizitohen vetëm nga mjeke gra. Zonja Morgan thotë se ka patur diskutime për t’i shtrirë parimet e laicitetit në një sferë më të gjerë të institucioneve publike. //kk//

XS
SM
MD
LG