Lidhje

Çfarë ndodh prapa skenave në Shtëpinë e Bardhë? - 2004-01-25


Vëmendja e Amerikës është përqëndruar tani në zgjedhjet presidenciale të këtij viti. Ndërkaq në treg sapo është hedhur një libër i ri, që tregon se çfarë ndodh prapa skenave në Shtëpinë e Bardhë.

Libri përmban transkripte mbledhjesh, telefonatash dhe takimesh private të tetë presidentëve nga vitet ’40 deri në vitet ’80, të shoqëruara nga një disk me regjistrime. Ky koleksion u përgatit nga historiani John Prados.

Shumë amerikanë e njohin mirë zërin e presidentit John Kennedy në fjalimet që mbajti gjatë viteve në Shtëpinë e Bardhë:

Zëri i presidentit Kennedy në ceremoninë e përurimit në vitin 1961 ishte ndryshe nga toni që ai përdori në një nga regjistrimet e një bisede telefonike ndërmjet tij dhe guvernatorit të shtetit të Misisipit Ross Barnet në vitin 1962 mbi ndarjen racore. Ata po diskutojnë mbi përpjekjet e një të riu zezak për t’u regjistruar në një universitet:

“Unë nuk e dërgova atë në universitet, por nga ana tjetër, në bazë të neneve të Kushtetutës, duhet ta zbatoj urdhërin”.

Historiani John Prados thotë se dihet se që nga mesi i viteve ’70 presidentët amerikanë regjistronin biseda dhe takime në Shtëpinë e Bardhë, shpesh pa dijeninë e palës tjetër. Por ai shton se nuk e kishte idenë se sa domethënëse do të ishin këto regjistrime krahasuar me transkriptet e bisedave mbi të njëjtat ngjarje. “Stenografistët nuk i kapin të gjitha gjërat. Përveç kësaj, ata shpesh nuk janë në gjendje të regjistrojnë nuanca të bisedës, të cilat janë një tjetër tregues i tonit të bisedimeve, gjë që nuk kapet nga dokumenti i shkruar”, thotë historiani.

John Prados grumbulloi disa momente të spikatura të këtyre bisedave të regjistruara të cilat i botoi në një libër të shoqëruar nga një disk me regjistrime.

Historiani shpjegon se presidenti Franklin Roosevelt ishte ai që e filloi traditën e regjistrimit të bisedave:

“Ai e kishte zakon të ftonte gazetarët në zyrën e tij për konferenca shtypi. Por nuk i pëlqente të kishte zëdhënësin e tij të pranishëm duke mbajtur shënime, pasi kjo mund ta ngurtësonte diskutimin. Nga ana tjetër, presidenti Roosevelt kishte frikë se mos ndonjë nga gazetarët ia shtrembëronte fjalët, prandaj filloi t’i regjistronte bisedat”.

Historiani Prados shpjegon se regjistrimet tregojnë edhe anën humane të presidentëve: “Në publik presidentët paraqesin anën e tyre më të mirë, por në regjistrime dëgjon edhe batuta të tyre të mprehta, fyerje si dhe përdorim të fjalëve banale”, tha ai.

Praktika e regjistrimit të bisedave i kushtoi shtrenjtë presidentit Nikson. Më 17 qershor 1972 pesë persona u arrestuan pasi ishin futur në selinë kombëtare të Partisë demokrate në ndërtesën Watergate në Washington.

Siç u zbulua më pas, ata ishin futur në mënyrë të paligjshme për të mbledhur informacion që do t’i shërbente presidentit Nikson në fushatën për t’u rizgjedhur. Presidenti Nikson nuk pranoi se kishte dijeni për këtë futje të paligjshme në zyrat e partisë opozitare.

Por ai u detyrua të jepte dorëheqjen në gusht të vitit 1974, pasi regjistrimet e bisedave të tij vërtetuan se ai ishte përpjekur ta mbulonte skandalin. Me këtë incident, presidentët filluan të tregohen më të kujdeshëm në regjistrimet që bënin. Për më tepër, regjistrimet zanore filluan të zëvendësoheshin nga videot.

Në koleksionin e zotit Prados, regjistrimet e fundit janë të periudhës së presidentit Regan. Historiani thotë se regjistrimet e Shtëpisë së Bardhë janë një dritare mbi mënyrën se si zhvillohej puna dhe si merrte formë historia në Washington, gjatë disa prej dekadave më vendimtare të shekullit të 20-ë.//kk//

XS
SM
MD
LG