Lidhje

Rrjeti televiziv arab Al Arabija nuk u referohet më autorëve palestinezë të sulmeve vetëvrasëse si “martirë" - 2004-01-26


Rrjeti televiziv satelitor arab Al Arabija ka njoftuar se nuk u referohet më autorëve palestinezë të sulmeve vetëvrasëse si “martirë.” Në vend të kësaj fjale shumë emocionale dhe tepër çorientuese, ky rrjet televiziv me seli në Dubai do të përdorë fjalën “të vrarët.” Ky ndryshim drejt njoftimit të lajmeve në mënyrë më objektive është mirëpritur nga ata njerëz që vlerësojnë gazetarinë e saktë. Megjithatë ky ndryshim është kritikuar nga disa njerëz, të cilët preferonin mbulimin zjarrvënës të zhvillimeve në Lindjen e Mesme nga shumica e kanaleve televizive satelitore arabe.

Yussef al-Qazzaz është zyrtar i lartë në Korporatën Palestineze të Transmetimit. “Shumica e korrespondentëve të stacioneve arabe radio-televizive duhet të edukohen politikisht dhe në aspektin kulturor rreth situatës së brëndshme palestineze,” tha zoti al-Qazzaz. “Ne nuk e kuptojmë se pse disa stacioneve satelitore arabe nuk përdorin më fjalën martirë.” Madje zoti Qazzaz u bëri thirrje gazetarëve palestinezë që të bashkohen me ministrinë palestineze të informimit për t’u thënë gazetarëve se çfarë frazash përdoren në jetën e tyre politike.

Për më keq, gazetarët, që përpiqen të njoftojnë në mënyrë të ndershme ndeshen me kërcënime fizike. Në Gaza, një grup burrash nxorrën nga vetura e tij korrespondentin e rrjetit televiziv arab Al-Arabija, Seif al-Din Shahin, dhe e rrahën atë me qytën e pushkës. Sulmi u krye pasi zoti Shahin njoftoi se një festim nga fraksioni palestinez Fatah kushtoi rreth 3 milion dollarë dhe rezultoi në disa plagosje të kalimtarëve të rastit nga të shtënat e armëve në ajër.

Pas sulmit kundër zotit Shahin, dhjetra gazetarë dhe palestinezë të tjerë demonstruan në mbështetje të të drejtës së gazetarëve për të bërë punën e tyre pa pasur frikë. Qendra Palestineze për të Drejtat e Njeriut e cilësoi sulmin si një goditje kundër lirisë së shtypit, të mendimit dhe të shprehjes. Ky grup i bëri thirrje Autoritetet Palestinez që të kryejë një hetim të plotë dhe të drejtë dhe t’i nxjerrë para drejtësisë personat përgjegjës për këtë sulm.

Është e qartë se një gjë e tillë ka shumë rëndësi. Por kjo është thjeshtë ajo që duhet bërë në zonat palestineze dhe në gjithë Lindjen e Mesme. Udhëheqësit në këtë rajon të trazuar duhet të mbështesin plotësisht njoftimet e ndershme dhe të vëreta të shtypit. Këto vlera mund të kontribuojnë shumë në arritjen e paqes dhe të demokracisë.

//ze//

XS
SM
MD
LG