Lidhje

Irak: Kompleksi i selisë së koalicionit goditet me raketë - 2004-01-27


Forcat amerikane në Irak thonë se një raketë ra të hënën vonë brenda kompleksit të selisë së koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, por nuk shkaktoi viktima dhe as dëme.

Sulmi u krye disa orë pas shpërthimit të një bombe në anë të rrugës që shkaktoi vdekjen e një irakiani, i cili po ulej nga një autobus në qytetin Ramadi, në perëndim të Bagdadit. Incidenti ndodhi brenda zonës së njohur si Trekëndshi Suni, ku sulme të veçanta guerile kanë lënë të vrarë të paktën 6 policë irakianë që nga e diela.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, po përgatitet të njoftojë nëse do të dërgojë një ekip në Irak për të vlerësuar mundësitë e zhvillimit të zgjedhjeve brenda disa muajsh. Mirëpo, nuk është e qartë se kur do të bëhet ky njoftim.

Ndërkaq, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha të hënën se Presidenti Bush kërkon të krahasojë informacionin e zbulimit të paraluftës se Iraku zotëronte armë të shkatërrimit në masë me të dhënat e zbuluara pas luftës. Ish kryeinspektori amerikan i armëve në Irak, David Kej, thotë se nuk mendon se atje do të gjenden stoqe të mëdha armësh të ndaluara. Pas muajsh të tërë kërkimi, zoti Kay fajëson dështimin e shërbimeve të zbulimit për atë që ai thotë tani se ishte mendim i gabuar që Sadam Huseini kishte armë kimike dhe bioplogjike para ndërhyrjes suhtarake amerikane në atë vend.

Zoti Kej u dërgua në Irak pas përfundit të operacioneve luftarake në shkallë të gjerë në muajin maj, i ngarkuar me misionin për të gjetur armët bërthamore, kimike apo biologjike për të cilat Shtetet e Bashkuara ngulnin këmbë se përbënin kërcënim për gjithë botën.

“Pikëpamja ime e përgjithshme, bazuar në ato që kamë parë, thotë zoti Kej është se nuk ka të ngjarë që ne të gjejmë stoqe të mëdha armësh të ndaluara. Nuk mendoj se ato ekszistojë.”

Presidenti Bush e përdori kundërshtimin e Sadam Huseinit për të verifikuar çarmatimin, siç ishte kërkuar nga Kombet e Bashkuara, për të justifikuar vendimin e tij për të hyrë në luftë. Pas muajsh të tërë kërkimi janë gjetur të dhëna rreth programeve të armëve, por jo armë të ndaluara dhe zoti Kej thotë se shërbimi amerikan i zbulimit duhet t’i kërkojë falje Shtëpisë së Bardhë.

“Duhet pasur në mendje, thotë zoti Kay, se kjo pikëpamje rreth Irakut ekzistonte edhe gjatë administratës së Presidentit Klinton dhe nuk ndryshoi as nën administratën e Presidentit Bush. Kjo nuk është një lojë politike, por një çështje serioze sesi ishte e mundur të nxirrej një përfundim që nuk mbështetet nga fakte.”

Megjithatë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McClellan, thotë se kërkimi për armë të ndaluara në Irak do të vazhdojë dhe theksoi se nuk mund të nxirret asnjë përfundim rreth saktësisë së informacionit amerikan të zbulimit derisa të përfundojë operacioni i kërkimit.//xh//

XS
SM
MD
LG