Lidhje

Parlamenti serb nuk arrin të zgjedhë kryetarin - 2004-01-27


Sot u mblodh për herë të parë parlamenti i ri i Serbisë, i cili nuk arriti të zgjedhë kryetarin e tij.

Kandidatët e paraqitur si nga partia ultranacionaliste radikale ashtu edhe nga grupet reformiste, nuk arritën të miratohen me shumicë votash. Paralamenti e shtyu zgjedhjen e kryetarit për të premten.

Të katër partitë reformiste nuk bien dakord për formimin e një kabineti të ri. Më e madhja midis tyre, Partia Demokratike e Serbisë e ish presidentit Vojisllav Koshtunica, synon të formojë një parti të pakicës. Por Partia Demokratike e ish kryeministrit Zoran Zhivkoviç nuk pranon të mbështesë një qeveri reformiste në rast se partia e tij nuk merr pjesë në kabinet.

Zgjedhja e kryetarit të parlamentit është një çështje me rëndësi kyçe sepse cilido që do ta ketë këtë post do të jetë gjithashtu President i Përkohshëm i Serbisë deri sa të zgjidhet një president i ri i republikës, posti i të cilit ka mbetur bosh që prej një viti.

Disa përpjekje për zgjedhjen e presidentit kanë dështuar për shkak të pjesmarrjes së ulët në votime.

Deputetët e Partisë Radikale hynë sot në parlament me bluza të stampuara me fytyrën e udhëheqësit të tyre, Vojisllav Sheshelj, i cili mbahet në arrest nga Gjykata e Hagës. Ai ndodhet në pritje të gjykimit për akuza që lidhen me luftrat në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë.

Partia Radikale ka fituar 82 nga të 250 vendet e parlamentit, ndërkohë që partitë pro demokracisë kanë 146.//ii

XS
SM
MD
LG