Lidhje

Ish-kryeinspektori amerikan i armëve, David Kay, bëri thirrje për një hetim të pavarur - 2004-01-29


Duke dëshmuar të mërkurën para komisionit të senatit për shërbimet e armatosura, zoti Kay fajësoi gabimet e agjencive të zbulimit për dështimin që të gjendeshin armë të shkatërrimit në masë.

Zoti Kay tha se nuk ka gjetur armë të tilla në Irak, megjithëse ai dhe një numër qeverish, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, besonin se këto armë ekzistonion.

Administrata e presidentit Bush kishte cituar agjencitë e zbulimi, që thoshin se Iraku kishte armë të tilla, si arsyen kryesore për fillimin e luftës.

Zoti Kay mbështeti thirrjet e demokratëve për një hetim të pavarur lidhur me punën e agjencive të zbulimit para fillimit të luftës.

“Në këtë rast, në fund të fundit ju do të arrini në përfundimin se do të duhet një hetim i pavarur si për të mësuar të vërtetën ashtu edhe për t’u bindur për vete dhe për të bindur popullin amerikan se një hetim i tillë është bërë.”

Republikanët në kongres dhe Shtëpia e Bardhë e kundërshtojnë një hetim të pavarur nga frika se kjo do të dëmtonte shërbimin amerikan të zbulimit.

Kryetari i komisionit të senatit për çështjet e zbulimit, Pat Roberts, republikan nga shteti i Kansasit, vuri në dukje se komisioni i tij po e heton këtë çështje dhe se javën e ardhshme do t’u dërgojë anëtarëve një projekt-raport mbi hetimit.

Megjithëse nuk janë gjetur armë, zoti Kay tha se janë gjetur prova se Iraku ishte i angazhuar në programe armësh të ndaluara nga rezolutat e Kombeve të Bashkuara.

Shumë demokratë, përfshirë edhe ata që po përpiqen të fitojnë emërimin e partisë së tyre për në zgjedhjet presidenciale të këtij viti, mendojnë se administrata e presidentit Bush manipuloi informacionin e agjencive të zbulimit për të paraqitur prova për dërgimin e forcave të armatosura në Irak. Senatori Ted Kennedy nga shteti Masachusets është anëtar i komisionit të senatit për shërbimet e armatosura.

“Shumë prej nesh mendojmë se provat deri tani të çojnë në një përfundim: ajo që ndodhi ishte më shumë se sa një dështim nga ana e agjencive të zbulimit. Ajo ishte rezultat i manipulimit të informacionit të zbulimit për të justifikuar vendimin për të dërguar forca të ushtrisë në luftë në Irak.”

Zoti Kay i hodhi poshtë komente të tilla, duke thënë se analistët e zbulimit nuk ishin kurrë nën presionin e qarqeve politike. Ai tha se pyetjeve rreth armëve irakiane të shkatërrimit në masë mund të mos u gjehet kurrë përgjigje, megjithëse ai mendon që kërkimi për armë të tilla duhet të vazhdojë.

Kryertari i komisionit të senatit për shërbimet e armatosura, senatori John Warner, tha se është pamaturi të thuhet se në Irak nuk kishte armë të shkatërrimit në masë.

“Është shumë herët të arrihet në një vendim apo konkluzion përfundimtar.”

Zoti Kay dha dorëheqjen javën e kaluar nga posti i krye-inspektorit amerikan të armëve në Irak, pasi qëndroi në këtë detyrë për 6 muaj. Ai tha se u largua nga kjo detyrë sepse burimet e nevojshme për të vazhduar kërkimet për armë po kalonin në sektorë të tjerë.

//ze//

XS
SM
MD
LG