Lidhje

Thaçi: E kaluara e hidhur nuk do t’i mbajë peng Kosovën dhe Serbinë - 2004-01-29


Muaji i parë i këtij viti në Kosovë, nxori në pah edhe problemet e sfidat me të cilat do të përballet Kosova në perpjekjet për plotësimin e standardeve, kalimin e pergjegjësive nga Misioni i Kombeve të Bashkuara tek institucionet vendore dhe përgatitjen e zgjedhjeve parlamentare. Për të diskutuar për këto çështje, Zëri i Amerikës intervistoi kryetarin e Partise Demokratike te Kosoves, Hashim Thaçi.

Zëri i Amerikës:Zoti Thaçi, fillimi i këtij viti shënon edhe fillimin e procesit të konkretizimit dhe përmbushjes së standardeve ndërkombëtare për Kosovën. A mund të thuhet se institucionet e Kosovës, forcat kryesore politike të saj, janë angazhuar seriozisht për të punuar si një ekip i vetëm për plotësimin e këtyre standardeve?

Hashim Thaçi: Unë vlerësoj se standardet nuk janë vetëm angazhim për një parti politike. Standardet janë obligim i institucioneve të vendit dhe atyre ndërkombëtare në Kosovë. Janë standarde që janë të artikuluara, të formuluara e të aprovuara nga organet politike të përbashkëta të institucioneve të Kosovës dhe të UNMIK-ut e të mbështetura edhe prej Grupit të Kontaktit. Janë standarde që do të avancojnë procesin politik, gjithashtu edhe përsa i përket realizimit të kritereve të domosdoshme për t’u integruar Kosova në strukturat veriatlantike, për të ndërtuar realitetin demokratik. Vlerësoj se në këtë drejtim, të gjitha partitë politike, por edhe qytetarët e vendit do të jenë më të përkushtuar në realizimin e tyre, në masë të duhur që do të lehtësonte dhe përshpejtonte fillimin e zgjidhjes përfundimtare të statusit politik të Kosovës. Në këtë drejtim vlerësoj se edhe sa i përket funksionimit demokratik të institucioneve, spektri politik kosovar është duke bërë një punë të mirë, kuptohet me gjithë ato mangësi, dobësi, por edhe kufizime që ka në angazhimet e veta. Duke krijuar një klimë të përshtatshme të funksionimit demokratik, efektiv të institucioneve, funksionim në tërë territorin e Kosovës, kjo do të nënkuptonte edhe shpërbërjen e gjithë institucioneve paralele, krijimin e lëvizjes së lirë për gjithë qytetarët në tërë territorin e Kosovës, pastaj bashkimin e Mitrovicës, funksionimi, apo sundimi i ligjit bashkëkohor, shfuqizimi i të gjitha ligjeve serbe dhe ndërtimin e legjislacionit sipas standardeve perëndimore. Gjithashtu jemi duke i kushtuar rëndësi që askush të mos jetë mbi ligjin, por nuk duhet të lejojmë askënd që kurrsesi të keqpërdorojë ligjin për çfarëdo motive qofshin ato. Është duke u punuar edhe në standarde të tjera, përsa i përket procesit të ekonomisë, privatizimit, kthimit, dialogut dhe zhvillimit të trupave mbrojtëse të Kosovës në një strukturë që të jetë me interes për vendin dhe për perspektivën e tij.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, ky është viti më i rëndësishëm për plotësimin e standardeve. Por ky vit po ashtu përkon edhe me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe gjatë fushatave elektorale, është e natyrshme që qëndrimet politike të polarizohen. A pritet që fushata zgjedhore të bëhet pengesë për plotësimin e standardeve?

Hashim Thaçi: Nuk besoj që fushata zgjedhore të bëhet pengesë. Ne duhet ta kuptojmë se edhe funksionimi i partive politike, organizimi i zgjedhjeve, fushata, sa më të qeta demokratike dhe të ndershme të jenë zgjedhjet, ne do të plotësojmë një prej standardeve kryesore, funksionimin demokratik të institucioneve dhe ndërtimin e tyre në baza të standardeve perëndimore. Prandaj jam shumë optimist se do të kemi një angazhim të gjithë spektrit politik për realizimin e këtyre standardeve. Fushata do të jetë e qetë, demokratike, rezultati zgjedhor do të jetë i pranueshëm nga tërë spektri politik kosovar dhe mbi të gjitha do të kemi implementim, apo do të kemi ndërtimin e institucioneve demokratike menjëherë pas zgjedhjeve që nuk do të krijojë ndonjë vakuum institucional. Kështu që vlerësoj që standardet do të jenë angazhim i të gjithëve dhe fushata zgjedhore është në vazhdën, apo plotësimin e këtyre standardeve si të domosdoshme për të njohur bota realitetin demokratik në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Me një fjalë ju pohoni se mund të ekzistojë një marrëveshje e heshtur që plotësimi i standarteve do të ketë përparësi ndaj interesave të ngushta partiake?

Hashim Thaçi: Standardet janë për shtetin e Kosovës. Të gjithë jemi të përcaktuar për të ndërtuar shtetin. Mirëpo vlerësoj se Partia Demokratike e Kosovës është duke treguar një shembull të mirë të mirëkuptimit me gjithë spektrin politik, që të punohet me përkushtimin më të madh dhe me faktorin ndërkombëtar për implementimin sa më të shpejtë të këtyre standardeve, standarde të cilat do të ndikojnë që të kuptohen edhe më drejt zhvillimet që jemi duke kaluar, të kuptohet më drejt bota demokratike dhe realiteti që është krijuar në Kosovë dhe uroj që të jenë natyrisht edhe partitë e tjera politike jashtë ndikimit të interesave partiake, përsa i përket realizimit të standardeve për Kosovën.

Zëri i Amerikës:Zoti Thaçi, siç e dini edhe ju në kontaktet tuaja me përfaqësues të huaj, për ndërhyrjen e NATO-s dhe për çlirimin e Kosovës, ekzistojnë një sërë pikëpamjesh në arenën ndërkombëtare. Si mund t’i bindni ju vendet e tjera, se ndërhyrja e NATO-s ishte vërtet një hap i zgjuar i Perëndimit dhe se shqiptarët e Kosovës po ndërtojnë sot një shoqëri moderne dhe demokratike. A mund të cilësohet Kosova si një shembull suksesi i ndërhyrjes nga jashtë?

Hashim Thaçi: Fillimisht ishte zgjuarsi e jona që ne bindëm botën perëndimore për të intervenuar në Kosovë. Ata na besuan në përpjekjet tona për luftë të drejtë dhe për ndërtimin e rendit demokratik. Bota perëndimore, veçanërisht miqtë tanë që fillimisht na kuptuan e besuan, nuk janë të dëshpëruar për atë intervenim, as ne nuk i kemi dëshpëruar. Mund të konkludoj se sot Kosova është vend më demokratik sesa disa vende të tjera të rajonit që janë të pavarura dhe Kosova me këto standarde që është duke i realizuar tash ka ecur më përpara sesa disa vende të tjera të Evropës Juglindore që po punojnë prej dhjetë vjetësh për këto standarde dhe mund të konkludoj se Kosova është duke reflektuar sot paqe, stabilitet, mirëkuptim dhe tolerancë për rajonin. Në këtë drejtim është inkurajuese edhe deklarata e Podgoricës e tre kryeministrave të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë për Kosovën, që për herë të parë vlerësojnë arritjet e standardeve demokratike në Kosovë dhe se kjo është shumë mirë për Kosovën, është një sinjal mjaft i mirë i vendeve fqinje për Kosovën dhe sinjal shumë i mirë për botën perëndimore se edhe fqinjët po e kuptojnë dhe po e njohin realitetin pozitiv në Kosovë. Por gjithashtu besoj se në të ardhmen e afërt, as Kosovën, as Serbinë, e kaluara e hidhur nuk do t’i mbajë peng, por do të punohet edhe më tepër që këto dy vende t’ia lehtësojnë njëra-tjetrës rrugën si entitete të veçanta, për t’u integruar në strukturat veriatlantike.

Zëri i Amerikës: Aktualisht një nga problemet më të mëdha në Kosovë, është procesi i privatizimit, i cili siç duket është bllokuar. A jeni optimist se qeveria, institucionet vendore dhe UNMIK-u do të gjejnë një zgjidhje për privatizimin i cili është konsideruar si një element i rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës?

Hashim Thaçi: Unë besoj se procesi i privatizimit do të vazhdojë, do t’i iket ndikimit politik në këtë proces, do të ngadhnjejë arsyeja e institucioneve vendore ndaj disa pengesave procedurale dhe do të gjendet një zgjidhje e pranueshme edhe për vendorët, edhe për ndërkombëtarët dhe ky proces do të vazhdojë së shpejti.//kk//

XS
SM
MD
LG