Lidhje

Shqipëri: Rritet çmimi i bukës - 2004-01-31


Prodhuesit e bukës kishin paralajmëruar një rritje prej mbi 30 përqind të çmimit, por ata vendosën ta përgjysmojnë pas takimit që patën të premten me ministrin e ekonomisë Anastas Angjeli.

Duke nisur nga e diela, një kilogram bukë do të kushtojë 10 lekë më tepër. Në pamje të parë duket se nuk bëhet fjalë për një rritje shqetësuese, por duke patur parasysh nivelin ekonomik të familjeve shqiptare, ateherë çmimi i ri nuk mund të mos merret në konsideratë.

Konsumi i bukës përfaqëson mesatarisht më shumë se katër përqind të konsumit në buxhetin e familjeve.

Mes prodhuesve të bukës dhe administratës shtetërore ka patur jo pak përplasje. Tatimet dhe doganat e kanë konsideruar spekulative rritjen e çmimit. Sipas tyre, arsyet e përmendura nga prodhuesit, si rritja e çmimit te energjisë apo edhe e grurit në tregjet ndërkombëtare krahasuar me uljen e disa tarifave doganore është e pajustifikueshme.

Ministria e ekonomisë megjithatë ka premtuar plotësimin e disa kërkesave të prodhuesve të bukës që kanë të bëjnë me licensimin apo me disa lehtësira të tjera që do të favorizonin këtë biznes.

Për çmimin e bukës është shprehur të shtunën edhe guvernatori i Bankës Shkëlqim Cani. Ai ka sugjeruar që organet e mbrojtjes së konkurrencës të shikojnë problemet e ekzistencës së monopoleve të mundshme në importin e grurit dhe miellit, dhe ato fiskale të ushtrojnë kontroll për të parandaluar spekulimet me cmimet.

Guvernatori i Bankës ka paralajmëruar se rritja e çmimit të bukës pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejt mbi inflacionin ashtu si dhe tarifat e reja më të shtrenjta të energjisë dhe te telefonisë fikse.

Që prej muajit dhjetor Telekomi shqiptar rriti tarifat me mbi 68 përqind. Një vendim që është vlerësuar nga Banka qendrore si jo plotësisht transparent. Nga ana tjetër ndikimin më të madh në inflacion pritet ta sjellë energjia, për shkak të reaksionit zinxhir që ajo sjell në të gjitha ato aktivitete prodhuese që e shfrytëzojnë atë.//kk//

XS
SM
MD
LG