Lidhje

Arabia Saudite: të paktën 244 të vdekur - 2004-02-01


Arabia Saudite njoftoi se të paktën 244 besimtarë myslimanë janë shtypur për vdekje nga turma dhe pothuajse një numër i njëjtë janë plagosur në afërsi të Mekës, në kulmin e ritualeve të haxhillëkut - pelegrinazhit të përvitshëm islamik.

Ministri saudit i haxhillëkut, Iyad Madani, dha një raport zyrtar për viktimat në një konferencë shtypi të mbajtur sot, disa orë pas incidentit, i cili ndodhi gjatë ritualit kur pelegrinët në mënyrë simbolike gjuajnë me gurë Satanin, në Urën Jamarat në Mina.

Ky është një nga incidentet më të rënda që ndodh gjatë ritualeve të haxhillëkut në vitet e fundit. Pelegrinazhi i përvitshëm tërheq rreth 2 milion myslimanë që vijnë nga e gjithë bota në vendet e shenjta të Arabisë Saudite.

Hedhja e gurëve është një nga ritualet më të rrezikshëm të haxhillëkut. Qindra mijra pelegrinë të grumbulluar në një turmë të madhe qëllojnë me gurë, shajnë, ose hedhin sandalet dhe këpucët në drejtim të shtyllave që përfaqësojnë djallin. Pelegrinët demonstrojnë me këtë ritual përbuzjen ndaj djallit.

Edhe në të kaluarën ka patur incidente me njerëz të shtypur nga turma për shkak të numrit të madh të pjesmarrësve. Vitin e kaluar, 14 pelegrinë gjetën vdekjen në të njëjtën mënyrë.

Incidenti më i rëndë gjatë pelegrinazhit ka qenë ai i vitit 1990, kur më shumë se 1 mijë e 400 vetë u shtypën ose u asfiksuan brenda një tuneli në Mina.//ii

XS
SM
MD
LG