Lidhje

Kryeministri Blair: hetim i pavarur rreth informacionit të zbulimit të para luftës në Irak - 2004-02-04


Kryeministri britanik Tony Blair njoftoi se do të fillojë një hetim i pavarur rreth informacionit të zbulimit të para luftës, duke thënë se mungesa e provave për armë irakiane të shkatërrimit në masë është diçka që duket shqyrtuar.

Njoftimi i hetimit britanik vjen një ditë pasi presidenti Bush njoftoi një hetim tjetër të pavarur të Shteteve të Bashkuara lidhur me informacionin e zbulimit për të justifikuar fillimin e luftës në Irak, informacion për të cilin thuhet se ishte i gabuar.

Kryeministri Blair i tha një komisioni parlamentar dje se hetimi është i nevojshëm pasi ish krye-inspektori amerikan i armëve, David Kay, tha muajin e kaluar se thuajse e gjithë bota kishte gabuar rreth ekzistencës së armëve të Irakut.

Megjithatë kryeministri Blair tha se nuk i vjen aspak keq për luftën në Irak dhe mendon që bota është më e sigurtë tani që ish udhëheqësi irakian Sadam Huseini është në burg.

Një ish sekretar kabineti, Lordi Robin Butler, do të kryesojë hetimet me dyer të mbyllura. Komisioni hetimor pritet të njoftojë rezultat e punës së tij në muajin korrik. Në të do të përfshihen anëtarë të të gjitha partive të mëdha politike, me përjashtim të liberal demokratëve. Ata kërkojnë hetimin e procesit politik para fillimit të luftës në Irak. Kryeministri Blair e cilëson këtë kërkesë të papranueshme.

Javën e kaluar, një gjykatës britanik shpalli se zoti Blair nuk kishte kryer ndonjë shkelje kur argumentoi para popullit britanik lidhur me kërcënimin e armëve të Irakut për të justifikuar hyrjen në luftë.

//ze//

XS
SM
MD
LG