Lidhje

Meta akuzon Kryeministrin Nano për planifikim aktesh dhune kundër tij - 2004-02-04


Ky deklarim është bërë në një letër që zoti Meta i ka drejtuar Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu, drejtuesve të parlamentit, Sherbimit Informativ si dhe Prokurorit të Përgjithshëm, duke saktësuar se informacionet për këtë i ka marrë nga burime të besueshme.

Zoti Meta shkruan se pas emërimeve të dyshimta në krye të dikasterit të rendit dhe të njerëzve që përfaqësojnë krimin ekonomik të lidhur me kryeministrin, ditët e fundit Zoti Nano, sipas tij ka urdhëruar kryeinspektorin pranë Shërbimit Informativ, Irakli Koçollari, dhe drejtorin e policisë kriminale për të përdorur zyrën e anti-terrorit pranë Shërbimit Informativ dhe segmentet e policisë, për të organizuar provokime, incidente dhe sajesa politike deri në akte terroriste.

Sipas Zotit Meta, këto veprime jo vetëm që do të kishin pasoja të paparashikueshme politike, por do të kompromentonin rëndë këto institucione dhe demokracinë në vend, se edhe kështu, shprehet ai, janë dëmtuar seriozisht për shkak të autoritarizmit ekstrem të klikës në fuqi që përfaqëson Kryeministri Nano, shkruhet në letren e Zotit Meta. Ish kryeministri ka kërkuar nga drejtuesit e institucioneve të cilave ai u ka shkruar, të ndërhyjnë për të parandaluar siç shprehet ai, akte të tilla kriminale, destabilizuaese dhe për të vënë para drejtësisë këta persona të papërgjegjshëm.

Menjëherë ka ardhur reagimi i qeverisë. Nëpërmjet zëdhënësit të tij, Kryeministri Nano i ka cilësuar dekalrimet e Zotit Meta si absurde. Zëdhënësi Aldrin Dalipi është shprehur se Zoti Meta gëzon në bazë të ligjit të gjtha atributet e sigurisë dhe ruajtjes nga Garda e Republikës.

Akuza e ish kryeministrit interpretohet si një përpjekje e këtij të fundit për të ruajtur protagonizmin në jetën politike, duke tentuar kështu të mbajë peng zhvillimin dhe stabilitetin e vendit, është shprehur zëdhënësi i Zotit Nano.

Zoti Meta pas goditjes që mori në Kongresin Socialist të dhjetorit u shfaq ditët e fundit duke sulmuar qeverinë me anë të disa dekleratave publike, të cilat kulmuan mbrëmë në parlament. Zoti Meta fajsoi kryeministrin për pengesa në reforma dhe për keqsimin e ekonomisë. Ai kërkoi që Parlamenti të verifikojë të gjitha akuzat drejtuar atij, jo vetëm nga Kryeministri Nano por edhe nga opozita. //kh//

XS
SM
MD
LG