Lidhje

Debat për koston e shërbimit shëndetësor - 2004-02-04


Çështja e sigurimit shëndetësor ka qenë në qendër të protestës së 70 mijë punonjësve të dyqaneve ushqimore, të cilët ndërprenë punën. Po ky problem ishte shkaku i grevës së mekanikëve, që çoi në ndalimin e shërbimit të autobuzëve dhe atë të shërbimit të metrosë së Los Anxhelosit për më tepër se një muaj, vitin e kaluar. Mosmarrëveshjet e punëtorëve lidhur me përfitimet e shërbimit shëndetësor lindën në radhët e punonjësve të uzinave energjetike të shtetit të Nju Jorkut, punonjësve qeveritarë të Minesotës dhe hamallëve të shtetit Idaho.

Doktor Mark Smith i Fondacionit të Shërbimit Shëndetësor të Kalifornisë, një organizatë kërkimore private, thotë se shtimi i kostos së shërbimit shëndetësor është një problem për të cilin po debatohet në të gjithë vendin.

Problemi numër një që kanë shumica e amerikanëve lidhur me shërbimin shëndetësor, është kosto e tij e lartë. Shumica e njerëzve që e blejnë sigurimin shëndetësor, qofshin qeveritë e shteteve, ato federale, punëdhënësit dhe individët, duan ta kenë shërbimin shëndetësor, por duan gjithashtu që të paguajnë të tjerët, thotë doktor Smith.

Doktoresha Pamela Hymel i hedh një vështrim përfitimeve mjekësore për Korporatën Elektronike Hughes dhe thotë se është vënë re që kostoja e shërbimit mjekësor po rritet më shpejt se sa fitimet e kompanisë.

Kështuqë, me rritjen e kostos së shërbimit shëndetësor, punëdhënësit detyrohen ose ta absorbojnë rritjen e çmimit, ose ta ndajnë atë me punonjësit. Pikërisht në këtë dilemë gjendemi, thotë zonja Hymel.

Sipas një studimi të Fondacionit Mjekësor Familjar Kaiser, pagesat për përfitimet mjekësore të punonjësve amerikanë u rritën me 14 për qind vitin e kaluar dhe kjo u përballua vetëm duke ia kaluar një pjesë të barrës punonjësve. Të njejtën gjë ka bërë edhe Korporata Energjetike Hughes dhe kompani të tjera.

Ndërsa sigurimi shëndetësor po bëhet përherë e më i kushtueshëm, të paktën 40 milionë amerikanë nuk kanë fare sigurim mjekësor. Sindikatat janë të mendimit se për të zgjidhur këtë problem, nevojitet një plan kombëtar për sigurimin shëndetësor. Por, zonja Hymel thotë se kjo nuk do të ishte një ide e mirë dhe se do të largonte çdo nxitje që kanë tani për tani punëdhënësit dhe punonjësit për të ulur shpenzimet mjekësore. Ajo shton se kompani si e saj, po u sugjerojnë punonjësve të kërkojnë mjekime më pak të kushtueshme të të njëjtit lloj, por përfaqësuesit e sindikatës thonë se kjo nuk e zgjidh problemin.

Për dekada me radhë, sindikatat kanë kërkuar një plan kombëtar të sigurimit shëndetësor. Por bizneset dhe industria e shërbimit shëndetësor e kanë kundërshtuar këtë ide, mes shqetësimeve për rritjen e kostos dhe rënien e cilësisë së këtij shërbimi. Për këtë arsye, këto propozime nuk kanë gjetur mbështetjen e duhur në Kongres.

Përfaqësuesit e Fondacionit të Shërmbimit Shëndetësor të Kalifornisë thonë se pa dyshim që do të ketë ndryshime të shërbimin shëndetësor, për arsye se kostoja e tij është rritur së teprëmi dhe pothuajse të gjithë amerikanët janë të pakënaqur për këtë çështje. Kjo sipas zyrtarëve, mund të arrihet nëpërmjet gjetjes së një një zgjidhjeje nga vetë Shtetet e Bashkuara, pa kopjuar sistemet shëndetësore të vendeve të tjera.//iç//

XS
SM
MD
LG