Lidhje

Majko: Politikanët nuk fitojnë pikë duke fyer njëri-tjetrin - 2004-02-05


Në mëngjesin e lutjeve merrte pjesë një numër i madh përfaqësuesish shqiptarë, përfshirë Ministrin e Mbrojtjes, zotin Pandeli Majko. Zoti Majko dha një intervistë për Zërin e Amerikës:

Zëri i Amerikës: Zoti Majko, kjo është hera e katërt, apo e pestë që ju merrni pjesë në takime të tilla. Përveç forcimit të lidhjeve midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, çfarë domethënie ka ky aktivitet për ju personalisht?

Pandeli Majko:Jo vetëm për mua personalisht, por është një grup deputetësh në Shqipëri, që realizon një aktivitet të natyrës së tillë dhe që ka tërhequr edhe vëmendjen e një lobingu mjaft të fortë të kongresmenëve amerikanë, të cilët kanë qenë prezent vitin e kaluar, në këtë aktivitet të zhvilluar, edhe me pjesëmarrjen e figurave të rëndësishme të politikës shqiptare. Kjo ka bërë më të qartë pikërisht atë relacion fetar që ekziston në Shqipëri, atë moderacion dhe bashkëpunim, i cili mund të merret shembull për rajonin, nga pikëpamja e asaj çka ka ndodhur edhe në të kaluarën. Shqipëria për relacionet e veta fetare është një shembull dhe normalisht edhe për këtë arsye, edhe për mënyrën sesi ne e kemi ndjekur aktivitetin e Mëngjesit të Lutjeve në vazhdim prej vitesh, sigurisht që tani mund të jemi normalisht, jo thjesht të ftuar, por edhe pjesëmarrës dhe organizues të këtij takimi të Mëngjesit të Lutjeve këtu në Washington. Ai ngelet një nga aktivitetet më të rëndësishme, si për të patur komunikim njerëzor, ashtu edhe për të patur komunikim zyrtar.

Zëri i Amerikës: Zoti Majko, në qoftë se më lejoni do të kisha dëshirë të citoj diçka nga fjalimi që mbajti Presidenti Bush kur tha se “kur ne mblidhemi së bashku në një ditë si kjo, ne lemë mënjanë debatet e një ditë të zakonshme pune dhe falemi me një zë, që Zoti të bekojë vendin tonë”. A ekziston një koncept i tillë në Shqipëri? A ndodh një gjë e tillë mes politikanëve shqiptarë?

Pandeli Majko: Mendoj që po. Pavarësisht se publiku është mësuar të shikojë, në perceptimin e lajmeve që ofrohen në Shqipëri, le të themi fakte, apo mënyra veprimi të politikanëve, që shpesh i bëjnë të trishtohen, në përgjithësi, politikanët shqiptarë nuk mund të jenë ata të viteve 1991-1992, ku bërtiteshin, shaheshin, nuk flisnin me gojë me njëri-tjetrin, bile edhe kur vinin në delegacione jashtë vendit, rrinin të ndarë dhe pa folur me njëri-tjetrin. Tani gjithçka ka ndryshuar. Ka një komunikim njerëzor dhe në fund të fundit, po troket ajo që quhet maturi politike, flas si për klasën politike që i takon maxhorancës, ashtu edhe për atë që i takon opozitës. Tani bëhet fjalë shpesh edhe për miq, për miqësi familjare që kanë politikanë të majtë dhe politikanë të djathtë. Tanimë nuk diskutohet më vetëm alternativa e kësaj, apo e asaj, e kësaj finance, apo e asaj finance, por diskutohet edhe shëndeti i fëmijëve, diskutohen edhe probleme të natyrave të ndryshme. Pra Mëngjesi i Lutjeve, ashtu siç tha edhe Presidenti Bush, është një moment kur ne duhet të kujtojmë që përveçse politikanë, jemi edhe njerëz.

Zëri i Amerikës: Zoti Majko, Shqipëria është një nga aleatet më të ngushta të Shteteve të Bashkuara në të ashtuquajturën “Evropën e re”. Si e shikoni ju rolin e Shqipërisë, ambiciet tuaja për t’u anëtarësuar në NATO, sa përparim keni arritur deri tani?

Pandeli Majko: Ne i shikojmë si një moment shumë komplementar marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian. Sigurisht që nuk besoj se do të viheshim në tendencën, që proamerikanizmi i Shqipërisë ka të bëjë me ide antievropiane. Këtë jemi përpjekur t’ua shpjegojmë edhe shumë individëve, qoftë edhe të huaj, të cilët shpesh përpiqen ta keqinterpretojnë pozicionin e Shqipërisë. Sigurisht, që në momentin që ka pasur disa ndarje në gjirin e Bashkimit Evropian, rreth pjesëmarrjes ose jo në luftën e Irakut, Shqipëria ka qenë më se e vendosur në këtë drejtim dhe në këtë pikëpamje, ajo nuk ja qenë thjesht në konceptin e yes-men-it (atij që thotë po vazhdimisht), por në mbrojtjen e interesave të veta. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prezenca e tyre në Kosovë, në territorin e banuar nga shqiptarët, për ne është një arsye, unë do të thosha më shumë se e domosdoshme për stabilitetin e rajonit, duke patur parasysh atë që bënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1999 për Kosovën dhe shqiptarët, gjithçka del mëse e natyrshme. Për më tepër, siç edhe jeni në dijeni, edhe heroi i parë shqiptar, është jo me uniformë shqiptare, ishte me uniformën e marinsit amerikan, por kjo nuk do të thotë se kjo e zbeh, përkundrazi simboli ishte edhe më i prekshëm, edhe më i dukshëm. Për këtë arsye forcat e armatosura të Republikës së Shqipërisë, e konsideruan Ervin Dervishin pjesëtar të forcave të armatosura të Shqipërisë dhe i organizuan të gjitha nderet që ai meritonte.

Zëri i Amerikës: Gjatë këtyre ditëve ju keni patur një seri takimesh me zyrtarë amerikanë. Çfarë përshtypjesh keni nga këto takime?

Pandeli Majko: Të them të drejtën, përsa i përket reformës së forcave të armatosura, kishim vetëm fjalë të mira dhe kjo deri diku na vinte edhe në pozitë të vështirë, sepse përgjithësisht, ne politikanët shqiptarë jemi mësuar që marrim edhe mesazhe negative, ose përpiqemi të kuptojmë se çfarë nuk shkon, në atë qe jemi duke bërë. Por dëshiroj të them, që falë edhe bashkëpunimit shumë të frytshëm që kemi me Pentagonin, boll të them që aktualisht në Ministrinë e Mbrojtjes, 10 për qind e administratës janë qytetarë amerikanë, të cilët punojnë krah për krah elitës ushtarake shqiptare, për të zhvilluar më tej reformën dhe strukturimin e forcave të armatosura, është pa koment. Jemi duke ecur në një rrugë të mbarë dhe fjalët shpresoj se do të orientohen shumë shpejt në vendim-marrje pozitive për të ardhmen e Shqipërisë në radhët e NATO-s.

Zëri i Amerikës:Zoti Majko, ju pothuajse gjithmonë jeni optimist, një politikan pozitiv. Por sa përputhen këto mendime optimiste që shprehët ju, me realitetin në Tiranë. E kam fjalën për mosmarrëveshjet në radhët e Partisë Socialiste. Siç mund ta dini, dje ish-kryeministri Meta i ka dërguar një letër Presidentit, ambasadave, ku pohon se ai ndjehet i kërcënuar nga Kryeministri Nano. Si i shikoni ju këto zhvillime dhe sa mund ta tolerojë sistemi politik shqiptar një paqartësi, ose një mungesë qëndrueshmërie politike?

Pandeli Majko: Unë nuk është se përpiqem t’i hedh një vello optimizmi asaj që po ndodh në Shqipëri. Por dëshiroj, që në gotën gjysmë të mbushur të ujit, të merrem me atë që është plot dhe jo me atë që është bosh. Nga kjo pikëpamje mendoj që sigurisht midis politikanëve shqiptarë ka patur dhe do të ketë probleme shpesh edhe të karakterit personal, shpesh përplasje, fyerje dhe në fund të fundit publiku shqiptar është deri diku i mësuar me të tilla ofendime, apo akuza, të cilat shpesh kapërcejnë edhe kufijtë e normalitetit. E kam fjalën edhe për debatet parlamentare mes pozitës dhe opozitës. Por besoj që edhe ju si shqiptar nga Shtetet e Bashkuara, që e ndiqni politikën shqiptare, keni parë shumë shpesh se njerëz që e kanë akuzuar njëri-tjetrin për kriminel, si në rastin e doktor Berishës dhe zotit Nano, kur ka qenë rasti për momente delikate të politikës, janë ulur në tryezën e bisedimeve, kanë gjetur zgjidhje, kanë gjetur alternativat e stabilitetit. Kam përshtypjen se në fund të fundit, pas kalimit të një vargu problematikash, sharjesh, ofendimesh, politikanët e kanë mësuar që nuk para fitohen shumë pikë me konceptin e fyerjes së njëri-tjetrit. Kështu që maturimi i klasës politike, po orienton atë që quhet normalisht profesionalizëm. Përsa i përket rastit në fjalë, të them të drejtën, është një ngjarje që ka ndodhur gjatë mungesës sime. Nga pikëpamja personale, dëshiroj të them, që për të dy figurat e Partisë Socialiste, qoftë për zotin Nano, kryeministrin e qeverisë, qoftë për Ilir Metën, me të cilin kam kaluar një të tretën e jetës sime, jo vetëm politike, por edhe atë normale, njerëzore, mendoj që janë dy njerëz që i kanë dhënë mjaft Partisë Socialiste. Secili ndjen një farë dëshpërimi për këtë lloj debati, që shpesh ka kaluar edhe kufijtë normal, por të shpresojmë se do të kalojë, do ta kalojmë këtë situatë. Nuk e them këtë për të qenë optimist, por gjithsesi mendoj, që ne duhet të dallojmë atë që është njerëzore, me që është politike në këtë histori. Kam përshtypjen se kjo është më tepër një histori njerëzore, sesa politike.

XS
SM
MD
LG