Lidhje

Presidenti Bush: Terroristët ushqejnë një urrejtje të thellë për vlerat e botës së qytetëruar - 2004-02-05


Terrorizmi dhunon fenë islame, thotë udhëheqësi kryesor fetar i Arabisë Saudite. Myftiu i Lartë Sheik Abdul Aziz al-Sheik e bëri të qartë këtë në një lutje më 1 shkurt në Mekë. Fjalët e tij i dëgjuan 2 milion besimtarë myslimanë që po kryenin pelegrinazhin e Haxhillëkut. Myftiu i Lartë Sheik al-Sheik tha “Feja islame ndalon të gjitha format e padrejtësisë, vrasjeve pa një kauzë të drejtë, mashtrimet, rrëmbimet e avionëve, anijeve dhe mjeteve të tjera të transportit.”

Dënimi nga Myftiu i Lartë bëhet ndërkohë që terroristët vazhdojnë fushatën e tyre të shpërthimeve vetvrasëse në Irak, Izrael dhe vende të tjera. Më 1 shkurt, dy autorë sulmesh vetvrasëse shkaktuan vdekjen e më shumë se 100 personave në qytetin Erbil në Irakun verior. Ndërkaq, më 29 janar, një palestinez hodhi veten në erë duke shkaktuar edhe vdekjen e 11 personave të tjerë në një autobus në Jeruzalem.

Në Irak terroristët veprojnë fshehurazi. Por mendohet se të paktën disa prej tyre kanë lidhje me terroristët e al-Kaidës, përgjegjës për sulmet terroriste të 11 shtatorit, 2001 në Shtetet e Bashkuara nga të cilat gjetën vdekjen rreth 3 mijë veta.

Terroristët në Izrael veprojnë më hapur. Dy grupe morën përgjegjësinë për shpërthimin në një autobus në Jeruzalem, një prej tyre grupi Hamas, shkurtim për Lëvizjen e Qëndresës Islamike, ndërsa grupi tjetër Brigadat e Martirëve al-Aksa. Këto grupe morën gjithashtu përgjegjësinë bashkarisht për shpërthimin vetvrasës të 14 janarit që u krye nga një e re palestineze, nënë e dy fëmijëve. Sheik Ahmed Yasin, i vet-shpallur “udhëheqës shpirtëror” i Hamasit, u mburr për këtë sulm që kishte si autore një femër dhe kërcënoi se do të ndërmerren sulme të tjera terroriste kundër izraelitëve.

Pavarësisht nga pretendimet e tyre se veprojnë në emër të fesë islame, thotë gazetari irakian Hasan Fatah, këto grupe që nxisin sulme vetvrasëse nuk kanë asgjë të përbashkët me pjesën më të madhe të myslimanëve.

"Pa dyshim ky nuk është islamizmi që njohin besimtarët myslimanë. Dua të them vetëm që këto akte nuk gjejnë justifikim në asnjë pjesë të botës myslimane".

Terroristë të tillë, tha president Bush, “ushqejnë një urrejtje të thellë për vlerat e botës së qytetëruar.

"Ata urrejnë të krishterët dhe hebrenjtë dhe çdo mysliman, i cili nuk i përmbahet vizionit të tyre të ngushtë dhe të dhunshëm".

Askush nuk mund të qëndrojë asnjanës përballë një urrejtjeje të tillë. Gjithsecili, tha presidenti Bush “duhet të dënojë terrorin dhe të veprojë kundër asaj pakice që do të shkatërronte shpresat e shumë njerëzve.”

//ze//

XS
SM
MD
LG