Lidhje

Me kalimin e viteve, roli  i NATO-s ka ndryshuar - 2004-02-06


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, ishte këtu në Washington kohët e fundit për t’u takuar me presidentin Bush dhe me sekretarin e shtetit Colin Powell. Së shpjeti në aleancën e NATO-s do të anëtarësohen 7 vende të tjera, që të gjitha vende të ish bllokut sovjetik nga Evropa lindore dhe qëndrore.

Në të kaluarën NATO-ja përqëndrohej në mbrojtjen e Evropës Perëndimore dhe të Shteteve të Bashkuara nga kërcënimi që paraqiste Bashkimi Sovjetik. Tani NATO-ja ka forca në Kosovë dhe në Bosnje-Hercegovinë. Madje NATO-ja ka gjithashtu komandën e forcës ndërkombëtare të sigurimit në Afganistan.

Sekretari amerikan i shtetit Colin Powell tha se një prej çështjeve që diskutoi me zotin de Hoop Scheffer ishte shtimi i përgjegjësive të NATO-s për të përfshirë ekipet rajonale të rindërtimit në Afganistan.

“Ne diskutuam rreth përgjegjësive të aleancës në Afganistan, përparësi kjo e rëndësishme për aleancën. Ne të gjithë po bëjmë ç’është e mundur që të sigurohemi se Afganistani ecën në rrugën e duhur dhe që ne i shërbejmë sa më mirë nevojave të popullit afgan.”

Në se procesi politik në Afganistan dështon, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, de Hoop Scheffer, ai vend do të bëhet përsëri strehë për terroristët, që na kërcënuan ne. Në se ne dështojmë në Afganistan, shtoi ai, atëhere kush do të ketë përsëri besim tek ne?

Sot, me mbështetjen e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, afganët, si oficeri i ushtrisë Rahim Allah, thonë se ata kanë shumë shpresë për të ardhmen, se ajo do të jetë një e ardhme paqësore, në të cilën të gjithë afganët nga veriu në jug, nga lindja në perëndim, do të punojnë së bashku si një vend për rindërtimin e një toke të shkatërruar.

Zoti de Hoop Scheffer thotë se NATO-ja po ndihmon edhe në Irak. “NATO-ja po mbështet tani divizionin shumë kombësh të udhëhequr nga polakët dhe NATO-ja mund të luajë një rol edhe më të madh në se një gjë e tillë do t’i kërkohet nga qeveria sovrane e Irakut.”

Për arsye të kërcënimit të terrorizmit global, roli i NATO-s ndryshon. Siç u shpreh presidenti Bush, në këtë kohë sfidash dhe vështirësish, NATO-ja do të bëjë atë që ka bërë edhe më parë: “Ne do të qëndrojmë të vendosur përkundrejt armiqëve të lirisë dhe ne do të triumfojmë.”

//ze//

XS
SM
MD
LG