Lidhje

Bosnja shpreson të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në fund të kësaj dekade - 2004-02-06


Udhëheqësit e Bosnje Hercegovinës kanë shpresë që vendi i tyre të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në fund të kësaj dekade. Kryeministrat e dy entiteteve të këtij vendi e pranuan se Bosnje-Hercegovinës i mbetet shumë punë për të bërë para se të integrohet në institucionet evropiane.

Në një diskutim që u zhvillua në Washington mbi të ardhmen e Ballkanit, kryeministri i federatës myslimano-kroate të Bosnjes, Ahmet Hadzipasiç, tha se vendi i tij ka bërë shumë përparim që prej përfundimit të luftës në ish Jugosllavi para më shumë se 8 vjetësh.

“Reformat në fushën e mbrojtjes dhe në shtetin juridik tregojnë përparimin që ka bërë Bosnje-Hercegovina. Problemet kryesore të Bosnjes janë ekonomike, veçanërisht mungesa e vendeve të punës dhe ngecja e privatizimit. Megjithatë, burimet e vendit u japin shpresë boshnjakëve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian deri në vitin 2009.”

Zoti Hadzipasiç paralajmëroi për paqëndrueshmëri në Bosnje, në qoftë se vendit të tij i duhet të presë gjatë pasi Kroacia të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Dragan Mikereviç, kryeministër i Republikës Sërbe të Bosnjes, tha se është jetësore që Evropa ta shikojë Bosnje-Hercegovinën si një vend të qëndrueshëm.

“U kërkoj udhëheqësve evropianë që të mos e shikojnë Bosnjen se ku është tani, por të shikojnë rrugën që ajo ka në plan të ndjekë drejt integrimit.”

Zyrtarë të NATO-s dhe të Bashkimin Evropian i kanë paralajmëruar udhëheqësit boshnjakë se kushtet e anëtarësimit janë shumë të larta. Ndërkohë që ata kanë në plan ta ndihmojnë këtë vend që të marë rrugën drejt anëtarësimit në institucionet evropiane, ata nuk do të ulin standartet e tyre.

//ze//

XS
SM
MD
LG