Lidhje

Në Uzbekistan vazhdon shtypja - 2004-02-07


Torturimi ka qenë prej kohësh problem serioz në Uzbekistan. Tani ka njoftime se edhe dy të burgosur të tjerë uzbekë kanë vdekur në rrethana të dyshimta.

Familja e Kamalodin Xhumanijozovit e mori trupin e tij nga policia rreth një javë pasi ishte arrestuar në dhjetor nën dyshimet për vjedhje. Në një videokasetë shihen plagë në ballin e tij, mavijosje në kraharor e qafë dhe plagë të tjera.

Nodirgon Zamanovi u arrestua në muajin korrik dhe më një gusht u njoftua se ai kishte vdekur. Edhe ai ishte arrestuar nën dyshime për vjedhje. Familja e tij e gjeti atë të vdekur në stallën e tyre të lopëve me një litar përreth qafës së tij.

Mendohet se më shumë se 5 mijë uzbekë mbahen në burg për arsye politike. Ata trajtohen shumë keq. Policia dhe anëtarë të sigurimit të fshehtë i rrahin dhe i torturojnë ata. Autoritetet përdorin dhunën fizike kundër të arrestuarve dhe të burgosurve për t’i detyruar të pranojnë fajësinë ose të japin informacion kundër vetes apo të tjerëve. Një përfaqësues i posaçëm i Kombeve të Bashkuara vizitoi Uzbekistanin dhe njoftoi se torturat në atë vend përdoren në mënyrë sistematike.

Një prej atyre që vuajnë në burgjet uzbeke, është gazetari Rusllan Sharipov. Ai është themeluesi i Bashkimit të Gazetarëve të Pavarur të Uzbekistanit. Zoti Sharpov ka dhënë rregullisht njoftime rreth kushteve të mjeteve të informimit në Uzbekistan.

Në gusht, zoti Sharipov u dënua me 4 vjet burgim nën akuzat për marrëdhënie seksuale anormale dhe me fëmijë. Por, veprimtarë të të drejtave të njeriut dhe qeveri perëndimore kanë shprehur shqetësim se ai mbahet në burg për shkak se nuk i është nënshtruar trysnisë për të hequr dorë nga kritikat kundër qeverisë së Presidentit Islam Karimov. Gjatë një vizite të kohëve të fundit në Uzbekistan, ndihmës-sekretari amerikan i shtetit për demokraci, të drejtat e njeriut dhe punën, Lorne Craner, tha se zoti Sharipov duhet të lirohet.

Sipas Shoqatës Botërore të Gazetave, zoti Sharipov ka thënë se është torturuar fizikisht dhe psikologjikisht që të detyrohej të pranonte fajësinë. Ai tha se i është injektuar një substancë të panjohur, është detyruar të thithë një substancë që shkakton probleme në rrugët e frymëmarrjes, është kërcënuar se do t’i injektojnë virusin Hiv dhe është detyruar të shkruajë se do të kryejë vetëvrasje.

Adam Ereli, ndihmës-zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, i bëri thirrje qeverisë së Uzbekistanit që t’i japë fund praktikës së torturimit: “Ne presim nga zyrtarë të nivelit më të lartë të qeverisë që të dënojnë torturat dhe të marrin hapa të vendosur për t’i dhënë fund përdorimit të tij dhe të hetojnë në mënyrë të besueshme vdekjet në burg apo hetuesi që mendohet se kanë ndodhur për shkak të torturave.”

Qeveria uzbeke ka marrë disa hapa pozitive. Gjatë 12 muajve të fundit, Komiteti Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq është lejuar të hyjë më lirshëm në burgjet e Uzbekistanit. Por, qëndrueshmëria politike varet nga respektimi i të drejtave të njeriut dhe kjo do të thotë t’u jepet fund torturave.//xh//

XS
SM
MD
LG