Lidhje

Harri Holkeri: Kosova ka bërë një farë përparimi drejt demokracisë - 2004-02-07


Përfaqësuesi i Kombeve të Bashkuara, ish kryeministri finlandez, Harri Holkeri, tha se përparësia kryesore e misionit të OKB-së, i cili administron Kosovën, është finalizimi i një plani për zbatimin e një numër standartesh për ndërtimin e demokracisë.

“Detyra jonë më urgjente është të hartojmë një plan pune, i cili do të caktonte në mënyrë të qartë veprimet që duhen marrë për të arritur këto standarte.”

Standartet do të krijojnë bazën për një vlerësim të Kombeve të Bashkuara vitin e ardhshëm në se Kosova është gati për bisedime rreth statusit të saj final, që do të jetë pavarësia ose autonomia në kuadër të Sërbisë e Malit të Zi.

Zoti Holkeri tha se ka filluar puna për zbatimin e masave për të përmbushur këto standarte. Por ai tha se kishte mbetur i zhgënjyer që sërbët e Kosovës, të cilët përbëjnë 10 përqind të popullsisë, kanë refuzuar të marrin pjesë në proces. Ai u bëri thirrje sërbëve që të luajnë një rol aktiv, duke shtuar se është e rëndësishme për të gjitha komunitetet që të marrin pjesë në procesin e përcaktimit të së ardhmes së Kosovës. Ai tha se është detyra e misionit të Kombeve të Bashkuara që të sigurohet që çdo kush përfaqësohet në mënyrë të drejtë.

Por zëvëndës ministri i jashtëm i Sërbisë, Zrljko Peroviç, tha se OKB-ja nuk po bën sa duhet për ta bërë procesin gjithë përfshirës.

“Aktualisht, të gjitha përfitimet politike, ekonomike dhe shoqërore i takojnë vetëm një komuniteti. Pala tjetër shikon pak shpresë dhe po bëhet gjithnjë e më shumë e dëshpëruar. UNMIK-u duhet ta shqyrtojë me seriozitet këtë aspekt real dhe të marë masa për të rregulluar këtë mungesë të madhe të balancës. Në se nuk veprohet, në fund rezultati do të jetë një dështim që asnjeri nuk do ta dëshironte.”

Zoti Holkeri e cilësoi kriticizmin të pajustifikuar, duke thënë se misioni i OKB-së dhe qeveria e Kosovës kanë garantuar siguri për sërbët e Kosovës.

Raporti i Kombeve të Bashkuara përkon me vizitën e kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi, në Washington ku ai është takuar me zyrtarë të lartë amerikanë. Shtetet e Bashkuara u bënë thirje udhëheqësve të Kosovës të përqëndrohen më shumë në krijimin e një shoqërie demokratike shumë etnike dhe jo në statusin përfundimtar të Kosovës.

//ze//

XS
SM
MD
LG