Lidhje

OSBE: Qeveria dhe opozita të nxjerrin mësime nga ngjarja e 7 shkurtit - 2004-02-09


Drejtues të përfaqësive diplomatike dhe të organizatave perëndimore në Tiranë u shprehën sot përsëri lidhur me ngjarjet e ditës së shtunë. Përfaqësia e OSBE-së në Tiranë i bëri thirrje si qeverisë ashtu edhe opozitës që të nxjerrin mësime nga ngjarjet e 7 shkurtit në Tiranë, duke shprehur keqardhje për situatën e krijuar të shtunën, kur protestat antiqeveritare paqësore të partive të opozitës dolën përkohësisht jashtë kontrollit.

Në një deklaratë të publikuar sot OSBE-ja thotë se në demokraci, e drejta për të protestuar është e garantuar dhe e mbrojtur, por kjo e drejtë mbart gjithashtu edhe përgjegjësi, përfshirë edhe shmangjen e përdorimit të dhunës dhe provokimeve të dhunëshme, ka deklaruar ambasadori Osmo Liponen. Drejtuesi i zyrës së OSBE-së në Tiranë përgëzoi deputetët e Partisë Demokratike në përpjekjet që kanë bërë për ta qetësuar situatën.

Zyra e OSBE-së në Tiranë vëren se ligji shqiptar parashikon përdorimin e duhur të forcës nga ana e strukturave të sigurimit të shtetit për ruajtjen e rendit publik dhe mbrojtjen e institucioneve shtetërore. Një sërë masash frenimi mundë të përdoren, thuhet në dekleratën e OSBE-së, për të parandaluar shkallëzimin e dhunës. Ndërsa përdorimi i armëve të zjarrit është vetëm mjeti i fundit. Prezenca e OSBE-së pret që si qeveria ashtu edhe opozita të shprehin përgjegjësitë e tyre për ngjarjet e së shtunës dhe të nxjerrin mësim prej tyre. Shteti i së drejtës, thuhet në dekleratën e OSBE-së, duhet të respektohet nga të gjitha palët. Prezenca nxit forcat e sigurimit që të zbatojnë detyrat e tyre me përpikmëri në të ardhmen por të shmangin përdorimin e dhunës së tepërt. Zyra e OSBE-së thekson gjithashtu se është më mirë që mosmarrëveshjet politike të zgjidhen përmes rrugëve parlamentare dhe jo në rrugë.

Një tjetër prononcim është bërë publik sot edhe nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, James Jeffrey, i sapo dalë nga një takim me kryetarin e Partisë Demokratike të opozitës Sali Berisha. Ambasadori tha se Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë shumë bashkëpunimin me Partinë Demokratike dhe kryetarin e saj. Ambasadori tha se kishte diskutuar me drejtuesin e Partisë Demokratike edhe për ngjarjen e së shtunës. "Shtetet e Bashkuar gjithmonë mbështesin demostrimet e lira dhe paqësore, por asnjëherë dhunën", është shprehur ambasadori Jeffrey pas takimit. Kjo është edhe arsyeja, ka theksuar ai, që mbështetëm pozicionimet e mbajtuara nga ambasadori Saltzman i delegacionit të Komisionit Evropian.

Ndërkaq drejtuesit e forcave kryesore politike shkëmbyen sot akuza në mbledhje të hapura të partive të tyre lidhur me aktet e dhunshme gjatë protestës së të shtunës. Kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, dhe kryetari i Partisë Demokratike të opozitës, Sali Berisha, fajësuan njëri tjetrin për incidentet gjatë protestës kur dritaret e kryeministrisë dhe forcat e rendit u goditën me sende të forta. Zoti Nano deklaroi para kryesisë së partisë së tij se ngjarja e së shtunës është e dëmshme për reformat evropianizuese të Shqipërisë dhe institucionet demokratike të saj. ”Një sulm i ri ndaj institucioneve synonte goditjen dhe paralizën e tyre. Shkurt dhe thjesht, vazhdohet të synohet vënia në pamundësi fizike e shtetit dhe njerëzve të shtetit në një shoqëri demokratike.”

Zoti Nano i bëri thirrje administratës shtetërore që të vazhdojë punën me qetësi për të arritur objektivat ekonomike dhe reformat e nevojshme për t’u afruar me strukturat e Bashkimit Evropian. Ai gjithashtu u kërkoi publikisht forcave të rendit publik që të vazhdojnë punën për sigurimin e rendit dhe të qetësisë në vend. Ndërkaq drejtuesit e opozitës bënë sot, afërsisht në të njëjtën orë, një mbledhje të grupit të tyre parlamentar.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha para grupit të deputetëve të partisë së tij se opozita jep garancitë e saj për publikun dhe vëzhguesit ndërkombëtar se protestat paqësore do të vazhdojnë me vëndosmëri. Zoti Berisha tha se provokimet e pjesmarrësve nga punonjës të shërbimeve sekrete dhe sjellja e policisë të shtunën treguan frikën e qeveritarëve të korruptuar përballë protestës së qytetarëve. ” I them se ky ishte vetëm fillimi. Fillim i madh por vetëm fillimi. Ne protestat do ti vazhdojmë. U përpoqën që me një provokacion ti devijonin ato”, tha zoti Berisha.

Përkrahësit e opozitës pritet që sot në orët e mbrëmjes të vëndosin qirinj në sheshet publike të qyteteve të tyre në shenjë nderimi për viktimat e 9 janarit, ku 20 përsona humbën jetën në një gomone që udhëtonte drejt Italisë. Ndërkaq është lajmëruar nga opozita se tubimi tjetër i radhës i qytetarëve të organizuar nga partitë e opozitës do të jetë më 20 shkurt.

//rd//

XS
SM
MD
LG