Lidhje

Libi: Rivendoset prania diplomatike amerikane - 2004-02-11


Shtetet e Bashkuara vendosën përësri praninë e tyre diplomatike në Libi, ndërkohë që kryeministri britanik, Tony Blair, shpreson të bëjë së shpejti një vizitë në këtë vend afrikan në kuadër të përpjekjeve për ta kthyer atë në gjirin e komunitetit ndërkombëtar.

Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi të martën se një diplomat amerikan po punon pranë ambasadës belge në Tripoli, prania e parë diplomatike amerikane në atë vend që nga viti 1980.

Zyrtarët thonë se parashikojnë që edhe diplomatë të tjerë amerikanë të vizitojnë Libinë në një të ardhme të afërt dhe që Libia të vendosë së shpejti praninë e saj diplomatike në Washington.

Po të martën, sekretari i jashtëm britanik, Jack Straw, bëri të njohura planet e zotit Blair për të shkuar në Tripoli për t’u takuar me udhëheqësin libian, Moamar Gadafi. Zoti Straw e bëri këtë njoftim pas bisedimeve në Londër me homologun e tij libian, Muhamed Abd al-Rahman Shalgam. Ky ishte takimi i nivelit më të lartë midis zyrtarëve të dyja vendeve në më shumë se 20 vjet. Sekretari i jashtëm britanik e cilësoi takimin si historik dhe të frytshëm.

Zyrtarët thonë se zhvillimet diplomatike janë rrjedhim i deklaratës libiane të dhjetorit se Tripoli po hiqte dorë nga programet e armëve bërthamore e kimike. Shtetet e Bashkuara, Britania dhe ekspertë ndërkombëtarë ndodhen në Libi, ku po punojnë me zyrtarë libianë për çmontimin e programeve të armëve.

XS
SM
MD
LG