Lidhje

Procesi i privatizimit në Kosovë i bllokuar - 2004-02-11


Qeveria e Kosovës tha sot se procesi i privatizimit është bllokuar. Një zëdhënëse e qeverisë theksoi se qeveria vazhdon të mbështesë kërkesat e saj në lidhje me këtë proces, ndërkohë që po sot administrata ndërkombëtare në Kosovë, nënvizoi se procesi i privatizimit duhet të vazhdojë dhe se UNMIK, po kështu, nuk ka ndryshuar qëndrim në lidhje me të.

Qeveria e Kosovës vazhdon të mbështesë qëndrimin e saj në lidhje me procesin e privatizimit dhe agjensinë kosovare të mirëbesimit, e cla mbikqyr këtë process. Zëdhënësja e qeverisë, Mimoza Kusari, konfirmoi sot pas mbledhjes së qeverisë, se nesër pritet të zhvillohet një takim midis kryeministrit Bajram Rexhepi dhe përfaqësuesit të lartë të administratës ndërkombëtare, Klaus Lamsdorf, në lidhje me këtë process.

“Është fakt se procesi i privatizimit është i bllokuar, qeveria nuk lëviz nga kërkesat e veta, janë argumenta të qëndrueshme që ende qëndrojnë. Ditët e ardhshme, kryeministri do të takohet përsëri me zotin Hollkeri dhe zotin Lamsdorf”, tha zëdhënësja.

Po sot, administrata ndërkombëtare në Kosovë tha se procesi i privatizimit duhet të vazhdojë. Zëdhënësja e administratës Izabel Karlovic, tha se UNMIK vazhdon të mbështesë të njëjtin qëndrim që ka pasur në lidhje me këtë.

Ndërkohë, po sot, qeveria ka diskutuar edhe në lidhje me një projektligj për lirinë fetare dhe statusin juridik të bashkësive fetare në Kosovë, i cili është shtyrë për shqyrtim të mëtejshëm.

“Ky projektligj u shty për shqyrtim të mëtejshëm sepse do ti dërgohet një shkresë zyrtare kishës ortodokse, koalicionit “Kthimi”, shoqatës së kishave norvegjeze, Këshillit të Evropës dhe komuniteteve për këshilla të tjera. Kjo shtyrje bëhet për shkak të rëndësisë së këtij ligji”, tha zëdhënësja.

Ndërkohë, kryeministri Bajram Rexhepi ka biseduar sot me komandantin e paqeruajtësve në Kosovë, gjeneralin Holger Kamerhof, në lidhje me kufijtë e Kosovës dhe përcaktimin fizik të vijës kufitare.

“Kryeministri tha se përcaktimi fizik i vijës kufitare me Maqedoninë, rrit tensionet e panevojshme, me të njëjtën pikë, u pajtua edhe gjenerali Kamerhof dhe u ra dakord që të punohet më tej për këtë çështje”.

Ndërkohë po sot, zëdhënësja e qeverisë Mimoza Kusari, konfirmoi se kryeministri i ka dërguar një letër komisionerit të lartë të policisë në Kosovë, Feller, në të cilën ka kërkuar sqarime për informacionet e publikuara në media, për kërcënime për 3 zyrtarë të lartë të LDK-së. Zonja Kusari tha se ende nuk ka ndonjë përgjigje për këtë nga zoti Feller.

//rd//

XS
SM
MD
LG