Lidhje

Iraku po ndërton institucione të reja politike dhe ligjore - 2004-02-12


Liria ka filluar të lëshojë rrënjë në Irak. Kjo duket qartë në vende si qendra e re për të drejtat e njeriut në qytein Hillah në Irakun jugor. “Kjo është diçka e re për irakianët,” i tha një gazetari themeluesja e qendrës, Khazi al-Safa. “Për dekada me radhë,” thotë ajo, irakianët nuk kishin asnjë ide për të drejtat e njeriut dhe demokracinë.”

Para rrëzimit të Sadam Huseinit, demonstratat e vetme që zhvilloheshin në Irak ishin ato që lejoheshin nga regjimi i Partisë Baathiste. Sot protestuesit organizojnë tubime mbi një numër çështjesh, përfshirë edhe formën e qeverisë së re irakiane.

Gazeta The Chicago Tribune shkruan se tubimet politike “janë bërë aq popullore saqë ata që prodhojnë pankarta kanë një mbingarkesë kërkesash.” Feisal al-Istrabadi, me origjinë irakiane, punon si jurist në Çikago. Ai i tha një gazetari të së përditshmes The Chicago Tribune “Këtu çdo gjë po fillon nga e para. Mendimi politik ishte i ndaluar për 35 vjet.”

Njerëz nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të koalicionit po ndihmojnë irakianët të rindërtojnë institucionet e tyre ligjore dhe politike. Sermid al-Sarraf, avokat nga Los Anxheles i Kalifornisë ndodhet në Irak për të ndihmuar juristët irakianët të bëhen mbrojtës të të drejtave të njeriut. Zoti al-Sarraf thotë se nën Sadam Huseinin, juristët irakianë ishin mësuar të shërbenin si “agjentë të burokracisë dhe ndërmjetës të dhënies së rryshfeteve.” Synimi është të ndryshohet kultura e korrupsionit dhe të krijohen themelet për shtetin ligjor. Ata që punojnë për reforma të tilla, tha presidenti George Bush, do t’i kenë vazhdimisht aleate Shtetet e Bashkuara.

“Iraku për dekada të tëra ishte aleat i terrorit i sunduar nga mizoria dhe kapriçot e një njeriu. Sot populli i Irakut po përparon drejt vet-qeverisjes. Koalicioni ynë po punon me Këshillin Qeverisës të Irakut për të përgatitur ligjet si dhe kartën e të drejtave të njeriut. Tani që regjimi bathist nuk ekziston më, Iraku nuk përbën më një kërcënim serioz dhe në rritje ndaj vendeve të lira. Iraku është një vend i lirë,” tha presidenti.

Liria ende ka armiq në Irak. Mbeturinat e regjimit bathist dhe terroristët e huaj shpresojnë se sulmet e tyre do të minojnë përparimin në Irak. Presidenti Bush ka thënë “kur kanë mundësinë të zgjedhin, njerëzit kudo, nga i gjithë spektri shoqëror, nga të gjitha besimet, preferojnë lirinë dhe jo dhunën e terrorin.” Iraku do të jetë një provë e rëndësishme e kësaj bindjeje.

//ad//

XS
SM
MD
LG