Lidhje

Presidenti Bush bën thirje për masa më të rrepta për mos përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë - 2004-02-12


Presidenti Bush thotë se duhet bërë më shumë për të luftuar tregun e zi ndërkombëtar të armëve të shkatërrimit në masë dhe për të parandaluar vende të ndryshme që të mos zhvillojnë armë bërthamore nën pektun e ndërtimit të reaktorëve të energjisë bërthamore.

Ai thotë se parametrat ndërkombëtarë për energjinë bërthamore kanë dështuar, duke sjellë si provë zhvillimet e fundit në Pakistan. Shkencëtari kryesor i energjisë bërthamore në këtë vend, Abdul Kadeer Khan ka pohuar se u ka shitur sekrete dhe komponentë Iranit, Libisë dhe Koresë së Veriut.

"Ai njihet në mbarë botën si babai i programit bërthamor të Pakistanit. Deri kohët e fundit nuk e dinim se ai udhëhiqte një rrjet të gjerë ndërkombëtar për përhapjen e teknologjisë bërthamore."

Në një fjalim në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare në Washington, presidenti paraqiti argumentat kundër rastit të zotit Khan. Ai nuk tha asgjë për faktin që qeveria pakistaneze e ka falur zotin Khan, duke u përqëndruar në përpjekjet për të asgjësuar rrjetin e përhapjes së armëve të zotit Khan.

Presidenti Bush tha se kjo vë në dukje nevojën që vendet e ndryshme të bashkohen për t’u përballur me këtë kërcënim specifik, ashtu siç kanë luftuar terrorizmin.

"Këto regjime si dhe përhapës të tjerë si zoti Khan duhet ta dinë: ne dhe miqtë tanë jemi të vendosur të mbrojmë popullin tonë dhe botën nga përhapja e armëve."

Ai tha se ekziston një konsensus që përhapja e armëve nuk duhet toleruar. Por ai paralajmëroi se konsensusi nuk ka shumë vlerë nëse nuk kthehet në vepra.

"Ndërkohë që i piketojmë dhe i shkatërrojmë këto rrjete, duhet njëkohësisht që të parandalojmë qeveritë që të mos zhvillojnë armë bërthamore nën pretendime të rreme."

Presidenti tha se rregulloret ndërkombëtare bërthamore kanë të meta që janë shfrytëzuar nga Irani dhe Koreja e Veriut. Ai tha se këto vende kanë qenë në gjendje të prodhojnë materiale bërthamore të cilësisë së armatimeve, nën petkun e programeve të energjisë civile.

Presidenti Bush tha se vendet që përdorin energjinë bërthamore kanë rënë dakort në të kaluarën të ndihmojnë vendet e tjera të ndërtojnë centrale të energjisë bërthamore. Por ai shtoi se kjo ndihmë duhet të ketë kufizime.

"Eksportuesit kryesorë botërorë të energjisë bërthamore duhet të sigurohen se shtetet kanë mundësi të shfrytëzojnë energjinë bërthamore me kosto të arsyeshme për reaktorë civilë, pasi këto vende të zotohen se nuk do të angazhohen në pasurimin dhe ripërpunimin e këtyre rezervave energjitike."

Presidenti Bush bëri gjithashtu thirje për zgjerimin e programeve të ngjashme me ato që synojnë të ndihmojnë ish-republikat sovjetike të çmontojnë armët e tyre dhe të punësojnë në sektore të tjera specialistët bërthamorë. Ai shtoi se duhet të ndërmerren hapa për të forcuar aftësinë e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike për të mbikqyrur respektimin e rregulloreve për shfrytëzimin e energjisë bërthamore.

//ze//

XS
SM
MD
LG