Lidhje

Ekspertët:krijimi i institucioneve demokratike-sfidë për vendet pas konflikteve - 2004-02-12


Pas përfundimit të konflikteve ushtarake në vende të ndryshme si Bosnia, Kosova, Afganistani, the kohët e fundit Iraku, sfida më e madhe për bashkësinë ndërkombëtare nuk ka qenë vendosja e paqes, por krijimi dhe përforcimi i institucioneve demokratike shteterore. Ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe çështjeve ushtarake e shqyrtuan këtë çështje në një diskutim që u zhvillua dje në Universitetin John Hopkins në Washington. Ekspertët theksuan se ndërtimi i institucioneve të reja shtetërore është një proces i gjatë dhe i vështirë.

Ekspertët ishin të një mendimi në një pikë: ndërtimi i shteteve pas përfundimit të konflikteve është një operacion i vështirë, që kërkon kohë dhe që nuk varet nga fakti se për sa kohë zgjat lufta.

Francis Fukujama, Dekan i Fakultetit të Ekonomisë Politike pranë Univeristetit John Hopkins, tha se sfida më e madhe për ndërtimin e një shteti pas përfundimit të konfliktit nuk është sigurimi i paqes, por krijimi i institucioneve demokratike, sundimi i ligjit, dhe krijimi i një rendi më të vërtetë demokratik. Ky koncept ka të bëjë me ndërtimin e institucioneve funksionuese qeveritare, bankës qendrore, forcave të sigurimit dhe policisë, shkollave spitaleve, infrastrukturës.

Zoti Fukujama tha se ekzistojnë dy aspekte të ndryshme të ndërtimit të shteteve, që kanë një domethënie të ndryshme politike. ”Fillimisht, tha zoti Fukujama, kemi të bëjmë me atë që quhet rindërtimi menjëherë pas konfliktit. Për këtë aspekt, -tha ai, -ekziston një përvojë e gjerë. Kemi shumë raste të suksesshme -tha ai,- të stabilizimin e vendeve pas përfundimit të luftës.”

Zoti Fukujama përmendi si shembull të këtij aspekti ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara në konfliktin ballkanik, në Afgansitan, dhe së fundi në Irak.

Aspekti i dytë i ndërtimit të shteteve, sipas specialistit Fukujama, është shumë më i rëndësishëm dhe ka të bëjë me ndërtimin e institucioneve të fuqishme, të afta për të funksionuar pa ndihmën e ndërkombëtarëve. Zoti Fukujama ishte i mendimit se për këtë aspekt, me përjashtim të rastit të Gjermanisë pas luftës, Japonisë dhe Koresë së Jugut, nuk ekziston një përvojë aq suksesshme me vendet e tjera, pas përfundimit të konflikteve. Si një rast deshtimi, ai përmendi Bosnjen, ku megjithëse kanë kaluar shtatë vjet pas Marrëveshjes së Daytonit, që i dha fund luftës, nuk po arrihet akoma vetëqeverisja, pa ndihmën e ndërkombëtarëve.

David Gray, i cili ka qenë pjesëmarrës në operacionet amerikane në Haiti, Bosnje, dhe Afganistan, tha se në saje të mjeteve të sofistikuara luftarake, ndërhyrja ushtarake në një vend mund të marrë fund shumë shpejt, por kjo nuk do të thotë se po aq shpejt do të marrë fund edhe rindërtimi i shtetit. ”Dikush mund të mendojë se lufta fitohet me shpejtësi dhe plotësisht, dhe se rindërimi i shtetit do të realizohet po aq shpejt. Por, historia ka treguar se këto supozime nuk qëndrojnë,” thotë zoti Gray.

Specialistët thanë se edhe në rastet kur rindërtimi i shteteve ka qenë i sukseshëm, siç ishte rasti i ndërtimit të Gjermanisë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, periudha e rindërtimit merr vite të tëra. Po cila është sfida kryesore në këtë proces? Kësaj pyetje, zoti Fukujama ju përgjigj: ”Jam i mendimit se sfida më e madhe në ndërtimin e shteteve, nuk është stabilizimi i menjëheshëm i situatës pas konfliktit, apo ndalimi i luftimeve, por është krijimi i insitucioneve vendore, të pavarura, të cilat mund të mbijetojnë pas largimit të ndërkombëtarëve. Pikërisht këtë e ka patur të vështirë ta realizojë bashkësia ndërkombëtare. Ekziston një prirje e përgjithshme, për t’i emëruar ndërkombëtarët në poste të vendimmarrëse në vend të drejtuesve vendorë. Mund të thuhet se është arritur sukses në ndërtimin e një shteti, pikërisht kur fillon funksionimi i institucioneve të vendit, pas largimit të ndërkombëtarëve.”- përfundoi zoti Fukujama.

XS
SM
MD
LG