Lidhje

I dërguari i OKB-së thotë se zgjedhjet në Irak duhet të jenë të besueshme - 2004-02-13


I dërguari i Kombeve të Bashkuara në Irak, Lakhdar Brahimi, tha se zhvillimi i zgjedhjeve në këtë vend është tepër i rëndësishëm, por ai shtoi se procesi i zgjedhjeve është shumë i ndërlikuar dhe duhet të jetë i përgatitur mirë, që të jetë i besueshëm.

Gjatë një konference shtypi të premten në Bagdad, zoti Brahimi nuk caktoi ndonjë datë për zgjedhje, por tha se brenda 10 ditësh do t’i paraqesë propozimet e tij Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan. Sidoqoftë, zoti Brahimi tha se zhvillimi i zgjedhjeve të drejtpërdrejta është rruga më e mirë për krijimin e një qeverie të re irakiane.

Po të premten, zëdhënësi i zotit Brahimi tha se mundësia më e madhe për zhvillimin e zgjedhjeve është pas 30 qershorit, kur pushteti do të kalojë në duart e irakianëve.

Kleriku kryesor shiit i Irakut, Ajatollah Ali al-Sistani, i cili u takua dje me të dërguarin e OKB-së ka bërë thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve para transferimit të pushtetit, por zyrtarë amerikanë thonë se një gjë e tillë nuk është e mundur.

Zoti Brahimi dhe ekipi i tij i ekspertëve të OKB-së kanë zhvilluar takime këtë javë me grupe të ndryshme në Irak për të gjetur një zgjidhje kompromisi.

Në një zhvillim tjetër, zyrtarët ushtarakë amerikanë thanë sot se aktivizimi i një mjeti shpërthyes i kushtoi jetën një ushtari amerikan dhe plagosi dy të tjerë të enjten vonë, kur patrullonin në Bagdad.//kk//

XS
SM
MD
LG