Lidhje

Rumsfeld: E vetmja rrugë për t’u mbrojtur nga terrorizmi në Irak është ndjekja e terroristëve dhe kapja ose vrasja e tyre - 2004-02-14


Më 11 shkurt, një makinë bombë shpërtheu pranë një qendre rekrutimi për ushtrinë e re irakiane. Ghasam Semiri, i cili u plagos, tha: “Ne po prisnim në radhë për të filluar turnin tonë në ushtrinë e re, kur një makinë e bardhë kaloi pranë nesh dhe shpërtheu.” Më shumë se 40 irakianë humbën jetën në atë sulm.

Një shpërthim tjetër një ditë më parë pranë një stacioni policie, shkaktoi vdekjen e më shumë se 50 vetëve. Për këto sulme, autoritetet e koalicionit fajësojnë terroristë të huaj të lidhur me rrejtin al-Kaida dhe guerilje besnikë të regjimit të vjetër të Sadam Huseinit.

Një nga ata që u plagosën, ishte Muhamed Abdullahu, i cilin punon si shofer taksie. Zoti Abdullahu thotë se autorët e shpërthimeve vetëvrasëse në Irak po sulmojnë myslimanët dhe po vrasin njerëz të pafajshëm. “Ata po vrasin Islamin, thotë ai, po vrasin njerëz që kërkojnë punë për të siguruar jetesën.”

Në lidhje me këto ngjarje tragjike, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Ramsfeld, u shpreh kështu: “Është e pa mundur të mbrohet çdo lokal kundër çdo sulmi që mund të imagjinohet në çdo kohë të ditës apo të natës. Prandaj, e vetmja mënyrë që mund të bëhet, është të ndjeken njerëzit që i kryejnë këto akte, të gjehen dhe të kapen ose të vriten.”

Më shumë se 150 mijë irakianë janë të angazhuar në operacionet për ruajtjen e sigurisë në vend. Shumë të tjerë, tha zoti Ramsfeld, janë ende në faza të ndryshme të programeve stërvitore: “Ne vazhdojmë stërvitjen e irakianëve, ne vazhdojmë të punojmë me ta. Ata do të bëhen gjithnjë e më të efektshëm. Dhe kur irakianët të ngarkohen gjithnjë e më shumë me përgjegjësitë e sigurimit, ne do të shohim se ata do të jenë shumë më të vetëdijshëm sesa forcat e koalicionit për çdo gjë që ndodh atje. Ata njohin gjuhën, ata njohin mjedisin dhe kanë arsye të dëshirojnë që ato zona të jenë të sigurta.”

Hathim Imadi, rekrut irakian, i cili shpëtoi nga shpërthimet e 11 shkurtit, flet për shumë irakianë kur thotë: “Nëse irakianët nuk bashkëpunojnë me policinë dhe ushtrinë, kjo do të thotë që ne u kërkojmë amerikanëve të qendrojnë përgjithmonë në Irak.” //az//

XS
SM
MD
LG