Lidhje

Bremer: Uashingtoni i hapur për ide mbi kalimin e pushtetit në Irak - 2004-02-15


Kryeadministratori amerikan për Irakun, Paul Bremer, tha se Uashingtoni është i hapur për diskutime rreth ideve të reja mbi mënyrat për kthimin e vetqeverisjes në Irak.

Në një intervistë me rrjetin televiziv amerikan, ABC, ambasadori Bremer tha se koha nuk është e mjaftueshme për zhvillimin e zgjedhjeve para afatit të 30 qershorit të caktuar nga Shtetet e Bashkuara për kalimin e pushtetit në duart e një qeverie irakiane.

Por, ai pranoi se plani amerikan për krijimin e një qeverie nëpërmjet konferencave rajonale mund të ndryshohet. Ai tha se mes alternativave të tjera janë ato që ai i cilësoi si zgjdhje të pjesëshme ose një lloj konference kombëtare.

Udhëheqësit e shumicës shiite të Irakut kërkojnë zhvillimin e zgjedhjeve para transferimit të pushtetit.

Një ekip ekspertësh të Kombeve të Bashkuara po prëgatitet të bëjë rekomandime lidhur me këtë çështje. Zoti Bremer tha sot se zyrtarë amerikianë do t’i shqyrtojnë seriozisht rekomandimet e OKB-së.

Ai tha gjithashtu se duket që në sulmin e kryer dje kundër një stacioni policie në qytetin Falluxha, ku humbën jetën të paktën 25 veta, morën pjesë luftëtarë jo irakianë.

Zoti Bremer tha se është tepër shpejt të thuhet se kush e planifikoi sulmin, por theksoi se në Irak kanë ndodhur shpërthime vetëvrasëse në përputhje me strategjinë e propozuar në një letër që thuhet se është shkruar nga anëtari i al-Kaidës, Abu Musab al-Zarkaui nga Jordania.

Po të dielën, ministrat e jashtëm nga Iraku dhe 8 vende të tjera të rajonit, të mbledhur në Kuvajt, u kërkuan Kombeve të Bashkuara të luajnë rol qendror në krijimin e qeverisë së re irakiane.//kk//

XS
SM
MD
LG