Lidhje

Mjetet e informimit dhe njerëzit e shquar - 2004-02-17


Kritikët thonë se mjetet e informimit po u japin gjithnjë e më tepër rëndësi njerëzve të shquar dhe yjeve duke hetuar në hollësitë e jetës së tyre e duke njoftuar mbi skandalet e tyre. Studies e gazetarë u mblodhën kohët e fundit në Los Angeles për të diskutuar mbi këtë dukuri dhe disa prej tyre shprehën shqetësimin mbi efektin që ajo mund të ketë në të ardhmen e gazetarisë.

Kur ylli i muzikës pop, Michael Jackson, doli para gjyqit muajin e kaluar nën akuzën se ka ngacmuar seksualisht një të mitur, mjetet ndërkombëtare të shtypit dërguan ekipet e tyre për të raportuar mbi çdo detaj të këtij zhvillimi. Ylli i basketbollit, Kobe Bryant, po i nënshtrohet një shqyrtimi të tillë nga ana e shtypit, ndërkohë që akuzohet për tentativë përdhunimi.

Edhe zhvillimet politike në Kaliforni sollën ethe të papritura kur aktori i filmave me aksion, Arnold Schwarzenegger, u përfshi në garën për guvernator shteti, të cilën edhe e fitoi. Shumë redaktorë u përqendruan më tepër tek sjelljet e tij personale, se sa tek e ardhmja e Kalifornisë, dhe shumë organe shtypi hetonin mbi të kaluarën e aktorit për të verifikuar zërat për sjellje jo të hijshme seksuale nga ana e tij.

A mos kemi të bëjmë me gazetari agresive apo me pushtim të vëmendjes së gazetarëve nga joshja e historive që lidhen me seksin? Kjo pyetje u shtrua para një grupi specialistësh të ftuar nga Shkollën e Komunikimeve të Universitetit të Kalifornisë së Jugut dhe Instituti Poynter i Shën Petersburgut - Florida.

Jay Harris ka qenë redaktor i një gazete bulevardeske, i cili thotë se redaktorët janë të vetëdijshëm që shkrimet mbi njerëzit e famshëm shesin gazetën.

“Të shkruash për yjet është biznes i mënçur, po ta shohim këtë çështje nën këndvështrimin komercial duke patur parasysh edhe trysninë e konkurrencës. Të gjithë e dinë se, po qe se gazeta jonë nuk vepron kështu, konkurrentet tona mund të veprojnë e kështu ne mund të dëmtohemi”.

Përqendrimi tek njerëzit e shquar po i jep formë tjetër rrymës kryesore të gazetarisë, thotë Sue Cross e agjencisë Associated Press. Ajo tregon se rëndom merr kërkesa nga mbarë bota për shkrime të tilla.

“Kjo ka bërë që të ndryshojnë temat për të cilat gazetarët njoftojnë. Histori të tilla shfaqen në stacionet televizive kabllore apo transmetohen në radio e nganjëherë mund të shihen edhe në internet. Kështu e kemi shkrimin të plotësuar e s’na mbetet veçse të verifikojmë nesë janë të vërteta apo jo. Në të njejtën kohë histori të tilla mund të njoftohen edhe si thashetheme, si për shembull, flitet apo thuhet se.... etj. Nuk e di me siguri nëse gjëra të tilla do të transmetoheshin për një masë të gjerë teleshikuesish e dëgjuesish para pesë apo dhjetë vjetësh”.

Peggy Jo Abraham e rrjetit “E! Entertainment” e përshkruan veten si gazetare që njofton mbi njerëzit e famshëm. Si drejtore e departamentit të lajmeve në televizionin ku punon, ajo thotë se kërkon që çdo histori të konfirmohet, por shton se mjetet e informimit që merren me yjet janë më pak të kujdesshëm përsa i përket verifikimit të njoftimeve.

“Të gjithë do të shprehen: në rregull; nuk mundëm ta verifikonim, kështu që thjeshtë do të themi se sipas gazetës “Star” apo sipas këtij kanali televiziv po ndodh ashtu e kështu. Dhe ky është krejt një rreth i madh, pasi edhe të parët nuk e kanë konfirmuar aspak informacionin e transmetuar prej tyre, e për më tepër ne po i citojmë ata”.

Gazetari Robert Scheer thotë se gazetat rendin më pak se mjetet e tjera të informimit pas shkrimeve mbi njerëzit e famshëm, por vëren se revistat janë shkelëset më të mëdha të etikës në këtë drejtim. Revistat zakonisht reklamojnë shkrime për figura të shquara për të shtuar numrin e kopjeve të shitura.

Ai ka punuar, si për gazeta, ashtu edhe për revista dhe sjell ndër mend një shkrim për aktorin Paul Newman që pati shkuar për revistën Esquire. Aktori i famshëm është veprimtar aktiv në shumë çështje sociale dhe tri javë intervistash të zotit Scheer me të u patën përqendruar tek qendrimi i zotit Newman kundër armëve bërthamore.

“Dhe në kopertinën e Esquire, e cila konsiderohej një revistë tepër e respektuar, kujton Scheer, lexohej “Rrëfimet e një Dashnori bajat”, pasi në një moment sinqeriteti, Newman tha: “Hej, unë nuk jam personi që dukem në ekran. Unë nuk jam lojtari më i mirë i bilardos në botë, as ky apo ai, si dhe nuk jam dashnori më i magjishëm në botë”. Këtë redaktorët e nxorën nga konteksti, dhe të gjitha intervistat veçse iu nënshtruan dëshirës për një shtrembërim sensacional”.

Redaktorët shpesh thonë se ata zgjedhin se cilat tema duhen theksuar për t’iu përshtatur interesit të lexuesve i cili bazohet në gjykimin e redaktorëve se për çfarë ia vlen të shkruhet. Specialistët vërejnë se shkrimet sensacionale botoheshin dikur vetëm në faqet e revistave bulevardeske, kurse tani ato janë bërë pjesë e programeve dhe e mjeteve kryesore të shtypit, bazuar në arësyetimin se kjo ngjarje po bëhet publike nga mjetet e tjera dhe vetëm për këtë ia vlen të mbulohet.

XS
SM
MD
LG