Lidhje

Shqipëri: Masa për uljen e çmimeve të telefonisë dhe energjisë - 2004-02-19


Qeveria shqiptare vendosi të enjten ndërmarrjen e një pakete masash për zbutjen e reformave në sistemin e telefonisë dhe energjisë. Në mbledhjen e Komitetit të Politikave Ekonomike u vendos ulja e tarifave telefonike për abonentët familjarë si dhe falja e të gjitha detyrimeve të papaguara të energjisë që nga viti 1994. Këto vendime erdhën pas protestave në disa qytete të vendit lidhur me rritjen e çmimeve.

Qeveria shqiptare u detyrua të rishikojë tarifat e larta telefonike dhe të marrë disa masa për zbutjen e rritjes së cmimit të energjisë elektrike. Vendimet u morrën gjatë mbledhjes së Komitetit të Politikave Ekonomike të drejtuar nga kryeministri Fatos Nano.

Tarifat e reja telefonike që u zbatuan që prej fillimit të dhjetorit të kaluar, ishin gati 68 përqind më të larta. Kjo rritje shkatoi një reagim të ndjeshëm edhe për shkak të disa protestave qytetare të organizuar në disa zona të vendit. Së fundi, ajo u bë dhe një nga pikat në të cilat mbështet fuqimisht sulmet e saj politike opozita shqiptare.

Sipas vendimit të marrë sot, tarifat telefonike për 600 impulset e para përgjysmohen, e po kështu zvogëlohet me 100 lekë më pak edhe pagesa fikse për mirëmbajtje. Sipas një përllogaritjeje, një faturë telefonike prej 600 lekësh do të përfshijë, pagesën fikse, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe 200 minuta kohe bisedë lokale.

Kryeministri Nano kërkoi mundësinë e rishikimit edhe të marrëveshjeve të interkoneksionit të lidhura nga Albtelekomi me dy kompanitë private të telefonisë celulare. Sipas opozitës vetëm nga këto marrëveshje Albtelekomi ka humbur mbi 80 milion dollarë. Kryeministri Nano deklaroi se rishikimi duhet të kërkohet duke u nisur nga llogjika e tregut. Por vështirë se mund të arrihet diçka konkrete, përsa kohë kontratat e lidhura janë disa vjeçare dhe ligjërisht ato nuk mund të prishen në mënyrë të njëanshme.

Qeveria vendosi të marrë disa masa edhe për zbutjen e efekteve të rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Kështu u vendos që të falen të gjitha detyrimet e papaguara familjare që nga viti 1994, me kushtin që kjo masë do të hyjë në fuqi në momentin që konsumatori pranon vendosjen e kontatorit të energjisë. Nga ky vendim nuk do të përfitojnë ata debitorë që janë nëpunës shtetëror.

Kryeministri i ka kërkuar Ministrisë së Financave që të përgatisë një vendim edhe për heqjen e plotë të taksës doganore për gazin e lëngët, në mënyrë që të nxiten lëndët alternative për ngrohje.

Sipas llogaritjeve të qeverisë, kostoja e këtyre vendimeve llogaritet të jetë mbi 145 milion dollarë.

XS
SM
MD
LG