Lidhje

Amnesty International: Kushte çnjerëzore në dhomat e paraburgimit në Shqipëri - 2004-02-19


Organizata e të drejtave të njeriut Amnesty International shprehu shqetësimin për kushtet e këqia të të ndaluarve në stacionet e policisë në Shqipëri, në një raport të bërë publik të enjten.

Organizata i ka kërkuar Shqipërisë të ngrejë qendra të reja për paraburgim, si edhe që t’u garantojë të ndaluarve të drejtat e tyre bazë njerëzore, sipas ligjeve ndërkombëtare.

Në raport thuhet se kushtet në stacionet e policisë, janë aq të këqia saqë shpesh arrijnë në trajtim çnjerëzor dhe poshtërues. Amnesty International thotë se kjo gjendje pasqyron pjesërisht varfërinë e Shqipërisë, por është gjithashtu edhe trashëgimi e shtypjes dhe mospërfilljes ndaj të drejtave bazë të njeriut.

Melanie Anderson, përfaqësuese e Organizatës Amnesty International me qendër në Londër, thotë se kushtet kanë qenë të këqia që nga koha e komunizmit, por edhe më pas nuk i është kushtuar vëmendje e duhur këtij problemi. Në Shqipëri janë miratuar ligje për të drejtat e të ndaluarve, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Por Amnesty International thotë se këto ligje janë shkelur.

“Që atëherë, Amnesty International mendon se nuk i është kushtuar rëndësi e mjaftueshme garantimit të kushteve minimale, të përcaktuara si në ligjet e Shqipërisë, ashtu edhe në standardet ndërkombëtare, për të burgosurit që mbahen në këto qeli”, tha sot zonja Anderson për Zërin e Amerikës.

Si shkelje raporti përmend mbajtjen e personave në paraburgim në një vend me të burgosurit që e kanë marrë dënimin, shpesh në të njëjtat qeli, si dhe mbajtja e të miturve në një qeli me të rriturit. Po ashtu, thuhet në raport, vazhdon mospërfillja ndaj legjislacionit për kushtet e higjienës, numrit të të ndaluarve brenda një qelie, ndriçimit etj.

Në raport citohej dëshmia e një të paraburgosuri i cili thoshte se nuk ndjehej si i ndaluar në pritje të procesit gjyqësor, por si një kafshë në kopshtin zoologjik.

Po ashtu në raport përshëndeten disa masa që kanë marrë autoritetet për përmirësimin e gjendje së të ndaluarve.

“Amnesty International e përshëndet faktin që ka patur disa ndryshime, për shembull dhomat e paraburgimit në stacionet e policisë do të kalojnë në varësinë e Ministrisë së Drejtësisë. Po ashtu ka plane për të ngritur qendra të reja paraburgimi në gjithë Shqipërinë, por ne jemi të shqetësuar se për momentin, para se të bëhen ndryshimet, të ndaluarit vazhdojnë të jenë në kushte çnjerëzore në këto qeli”, thotë zonja Anderson.

Me gjithë masat e marra, problemi i mbipopullimit në qendrat e paraburgimit të 24 komisariateve të policisë, që ende janë në varësinë e Ministrisë së Rendit, megjithëse është lehtësuar nuk është zgjidhur. Aktualisht, thuhet në raportin e Amnesty International kapaciteti i këtyre qendrave është 783 njerëz, por në janar të vitit 2004 aty ishin 1,187 të ndaluar, përfshirë 151 të burgosur që e kishin marrë dënimin.

Kushtet e këqia bënë që disa të burgosur të protestonin në vitin 2003 në zona të ndryshme të vendit, duke arritur deri në greva urie, që u ndërprenë pasi autoritetet bënë lëshime minimale.

Amnesty International rekomandon në raport që t’u plotësohen kushtet në përputhje me standardet ndërkombëtare të ndaluarve, derisa të ngrihen qendrat e reja të mbajtjes së tyre.

Po ashtu kjo organizatë thotë se ndalimi i të miturve duhet bërë vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe ata nuk duhet të vendosen së bashku me të rriturit. Amnesty sugjeron pakësimin e personave në paraburgim, duke përdorur aty ku është e mundur masa të tjera si lirimin me kusht, shkurtimin e periudhës së paraburgimit dhe përmes shmangies së vonesave në proceset gjyqësore.//kk//

XS
SM
MD
LG